Aktualitet

Takimi me pedagogët, ministrja Kushi: Dialogu për pagat do vijojë

Kushi përmend mbështetjet për kërkimin shkencor, orët shtesë, si dhe rritjen e transparencës për veprimtarinë akademike dhe financiare të universiteteve.

23 Shtator 2022, 19:12 Nga F.M
Takimi me pedagogët, ministrja Kushi: Dialogu për pagat do vijojë
Evis Kushi

TIRANË- Ministrja Evis Kushi ka reaguar pas takimit me pedagogët. Në një postim në rrjetet sociale, Kushi shkruan se bisedat për rritjen e pagave do të vijojnë por që aktialisht kanë të tjera prioritete në proces draftimi. Këtu Kushi përmend mbështetjet për kërkimin shkencor, orët shtesë, si dhe rritjen e transparencës për veprimtarinë akademike dhe financiare të universiteteve.

Postimi i plotë: 

Zhvilluam sot një tryezë diskutimi të gjatë me Sindikatën e Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë në lidhje me kërkesat e parashtruara prej tyre.
Pjesën më të madhe të çështjeve të parashtruara e kemi tashmë në proces draftimi edhe me Komitetin e Përbashkët të Politikave për Arsimin e Lartë dhe Konferencën e Rektorëve, të tilla si:
- mbështetja e kërkimit shkencor, e cila do të reflektohet edhe në Strategjinë e re Kombëtare të Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit;
- rishikimi i udhëzimit për veprimtarinë dhe ngarkesën mësimore të pedagogëve;
- rishikimi i procedurave për pagesën e orëve suplementare;
- rishikimi i kritereve për marrjen e titujve akademike;
- si dhe rritja e transparencës për veprimtarinë akademike dhe financiare të universiteteve.
Ndërkohë, do të vazhdojmë dialogun për politikën e pagave jo vetëm me ta, por edhe me rektorët e universiteteve dhe grupet e interesit. Ne synojmë që kjo politikë të lidhet me performancën e universiteteve, me qëllim vlerësimin e suksesit dhe nxitjen e cilësisë dhe konkurrencës.

Kushi zhvilloi sot një takim me pedagogët. Ky takim erdhi pas protestës së tyre, e cila u zhvillua me kërkesën bazë, rritjen e pagave. Pedagogët, në një deklaratë për mediat thanë se në takim nuk është arritur asnjë dakortësi. Ata u shprehën se do të vijojnë me protestat, por ende nuk kanë caktuar datën e radhës. 

evis kushi protesta e pedagogeve

Sondazh

Poll