Aktualitet

PËRPLASJA! Rama i kërkon ikjen, Nano dorëhiqet e ndërron mendje, largohet vetëm me shkarkim

'Dosja' zbulon nga burime koefidencale se drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano largohet nga detyra në kulmin e një vale ngjarjesh të rënda kriminale që kanë ndodhur përgjatë kësaj vere në Shqipëri. 

29 Gusht 2022, 12:18 Nga Fjola Graçi

PËRPLASJA! Rama i kërkon ikjen, Nano dorëhiqet e ndërron
Gledis Nano

TIRANE- Gledis Nano është i larguar nga detyra. Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, të emëruar me bujë vjeshtën e vitit të shkuar i është kërkuar të japë dorëheqjen nga detyra në kulmin e zhvillimeve kriminale në Shqipëri. Pa mbushur një vit, Nano po bëhet gati të largohet, ndërsa ngjarja më e rëndë, ajo e zhdukjes së Ervis Martinajt nuk është zbardhur. Ngjarjet kriminale dhe situata ku ndodhet Policia e Shtetit janë arsyet kryesore të largimit të Nanos ndërsa siç bëjnë me dije burime koefidenciale për Dosja.al, gati është edhe zëvendësuesi i tij.

Ka qenë kryeministri Edi Rama ai që i ka kërkuar Nanos që për të eliminuar një 'poshtërim publik', të dorëhiqet njësoj si paraardhësit e tij, e Drejtori i Policisë është bindur fillimisht. Por, në mënyrë surprizuese, Nano më vonë është penduar e ka ndërruar mendje nga dorëheqja nga posti, duke këmbëngulur se do të qëndrojë në detyrë. Dhe madje, në një prononcim për Report Tv, Nano thotë se nuk ka ndërmend të dorëhiqet.

“Nuk kam dhënë dorëheqjen dhe s'ka asnjë vendim për t'u larguar nga posti më i lartë që mbaj që prej 10 muajsh, nga tetori 2021. Nuk kam ndërmend të dorëhiqem,”- thotë Nano, duke i hapur rrugë shkarkimit të tij. 

Cilët janë zëvendësuesit e mundshëm?

Alternativa e parë për zëvendësimin e Nanos është emri i Lorenc Panganikës, drejtorit aktual të Drejtorisë së Policisë në kryeqytet, i njohur për afërsinë me Nanon dhe promovimin që drejtori aktual i ka bërë.

Emri i dytë është Met Rrumbullaku, drejtori i Agjencisë së Mbikqyrjes Policore. Rrumbullaku është një rikthim në strukturat e Policisë së Shtetit, pas një karriere të gjatë ku për shumë vite ka qenë Zv/Drejtori i Përgjithshëm i Policisë për Rendin dhe Sigurinë Publike 2009-2013, ndërsa më parë ka qenë Drejtor i Policisë së Tiranës dhe në disa qarqe të tjera. Gjatë qeverisë teknike të vitit 2017 , Rrumbullaku u emërua për disa muaj, këshilltar i Ministrit të Brendshëm Dritan Demiraj. 

Gledis Nano mori drejtimin e Policisë së Shtetit në tetor të 2021-ës pas problemeve që i paraprinë Ardi Veliut në drejtimin dhe menaxhimin e trupës policore. Nano më herët ka mbajtur postin e drejtorit të Anti-Terrorit dhe spikati me operacionin për evakuiimin e shqiptarëve që ndodheshin në kampin Al-Hol në Siri. Të mërkurën do të zbulohet zëvendësuesi i tij.

largohet gledis nano edi rama gledis nano

Sondazh

Poll