Aktualitet

Vodhi makinën e Ministrit Aliu në Kosovë, arrestohet 43-vjeçari në Morinë

Policia ka nxjerr njoftimin zyrtar pas ngjarjes, në të cilin thuhet se në timonin e makinës ndodhej një 43-vjeçar.

17 Gusht 2022, 18:00 Nga I.A
Vodhi makinën e Ministrit Aliu në Kosovë, arrestohet
Policia kufitare

MORINË- Personi që vodhi makinën zyrtare të Ministrit të Infrastrukturës, Liburn Aliu është arrestuar në Morinë. Policia ka nxjerr njoftimin zyrtar pas ngjarjes, në të cilin thuhet se në timonin e makinës ndodhej një 43-vjeçar. Personi është arrestuar dhe mbi të rëndon akuza e trafikimit të mjeteve motorike.  

Njoftimi i policisë:

Tentoi të kalonte kufirin me automjet të vjedhur, në pronësi të një institucioni të Republikës së Kosovës, vihet në pranga. Në PKK Qafë Morinë, në hyrje të RSH, shërbimet e Policisë Kufitare, në vijim të punës për goditjen e krimeve ndërkufitare, si rezultat i kontrolleve me përzgjedhje, kanë kaluar në vijë të dytë për kontroll më të imtësishëm, automjetin tip “Audi A3”, me drejtues shtetasin B. S., banues në Obiliq, Kosovë.

Gjatë verifikimit ka rezultuar se automjeti që drejtonte 43-vjeçari, ishte i vjedhur në Kosovë dhe ishte në pronësi të një institucioni shtetëror. Në përfundim të veprimeve proceduriale, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Tropojë arrestuan në flagrancë, për veprën penale “Trafikimi i mjeteve motorike”, shtetasin B. S., 43 vjeç, banues në Obiliq, Kosovë. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së  Rrethit Gjyqësor Tropojë, për veprime të mëtejshme.

grabitet makina e ministrit aliu liburn aliu

Sondazh

Poll