Art&Argëtim

Poeti Petrit Ruka mbush 65 vjeç, miku i jep urimin special: Për shumë je njeri i zakonshëm, por ti je farë dhe duhesh mbje

21 Gusht 2020, 09:58 Nga DOSJA
Poeti Petrit Ruka mbush 65 vjeç, miku i jep urimin special: Për

TIRANË- Në 65-vjetorin e lindjes, poeti Petrit Ruka ka marrë sot një urim të veçantë nga miku i tij, regjisori dhe publicisti Pëllumb Kulla. Në një shkrim në rrjetet sociale, Kulla uron Rukën teksa e cilëson atë si një “thesar” të poezisë shqiptare, e më tej shton se është një farë që duhet të mbillet për t’u shtuar. “Ti për shumë e shumë të njohur, për shumë e shumë bashkëkohës, je një njeri i zakonshëm. Një i lënë papunë që mbushi 65 vjet dhe që do të nisë të marrë rrogën e brishtë shqiptare të pleqërisë. Por unë ty të zbulova si poet, pastaj si mik e pastaj si vlerë shoqërore, që pasuron thesarin e poezisë kombëtare… Ti më pasuron edhe mua, o miku im, e më bën shpirtërisht më të pasur, ditë për ditë. E kështu vite me radhë”, thotë ai. 

SHKRIMI I PLOTË I PËLLUMB KULLËS: 

GËZUAR DITLINDJEN PETRIT RUKA!

Miku im i shtrenjtë! Urimi më poshtë është i vjetshmi.  Sot nuk e bëj dot më të mirë.

Vitet që vijnë ti do ta kesh një Ditlindje më të begatë. dhe unë do ta bëj një urim më të mirë se ky. Shpresojmë t’ia arrijmë kësaj. Po mua ky i vjetshmi më duket ende shumë i mirë edhe këtë herë. Pra presim vetëm gurën tënde të magjishme. U bëfsh 100!

I DASHUR PETJA!

Ditlindja jote, një ditë e zakonshme gushti. Nuk ka ajo asnjë ndryshim nga dita para saj…

Në ditën e lindjes tënde, Petrit, nuk do të zhurmërojnë vizitorë me shumicë, nuk do të buçasin radjot dhe televizionet… Mbase ndonjë gazetë do ta kujtojë ditën tënde, por nuk do të ketë fishekzarë. Dhe nuk ka sepse të flakërojnë ata. Ti për shumë e shumë të njohur, për shumë e shumë bashkëkohës, je një njeri i zakonshëm. Një i lënë papunë që mbushi 65 vjet dhe që do të nisë të marrë rrogën e brishtë shqiptare të pleqërisë.

Po për mua, Petrit, nuk je ashtu…

Unë ta uroj Ditlindjen, i dashur dhe e kam ditë feste sot. Se kjo ditë dhe jo ajo para kësaj më uli të të bëj urimin e përzemërt. Më jep rastin më shumë se sa të pij një gotë plot me verë të kuqe, të bëj një meditim të thellë mbi vlerat e tua, poeti im i dashur.

Ti, i shtrenjti miku im, je një nga zbulimet e fundit dhe nga zbulimet e bukura që bën njeriu gjatë jetës së tij në pemishten e madhe të letërsisë. Kam bërë unë zbulime të panumërta, Lasgushin, Kutelin, Çehovin, Dodenë, Xhek Londonin, Dostojevskin, Somerset Momin, Buxatin dhe jam munduar t’i shijoj të gjithë, pothuaj të gjithë frutat e tyre. Koha dhe studjuesit do të të japin rangun që të takon, a mbase nuk do të jenë një mendje me mua dhe nuk do të kujtohen për ty.

Por unë ty të zbulova si poet, pastaj si mik e pastaj si vlerë shoqërore, që pasuron thesarin e poezisë kombëtare…

Ti më pasuron edhe mua, o miku im, e më bën shpirtërisht më të pasur, ditë për ditë. E kështu vite me radhë.

Mua më mahnit palca e shtatit tënd poetik. Ti je, si rrallëkush, poet i dashurisë, i një dashurie të gjerë, i një dashurie universale për gjithëçka që ty të duket e bukur dhe hedh dritën tënde të mahnitshme mbi të. Ti dashuron femrën, tokën, Vjosën, malin, fshatin e lindjes, të vdekurit e tu të afërt dhe të vdekurit tanë të shquar. Dashuria jote shtrihet mbi krijimtarinë e pararendësve të tu të mëdhenj, mbi këngën kosovare, mbi vargjet e arbëreshve. Unë nuk kam hasur dot deri më sot një njeri të dashuruar çmëndurish pas folklorit, pas balladave, fustanellave, pas krijimtarisë së lashtë të popullit tonë. Ty përrallat të kanë trimëruar dhe të kanë paisur me guximin e marrë të një figurshmërie, që e bën poezinë tënde sa rrënjësore aq edhe avangardiste.

Ti, Petrit, ke kënduar bukuritë, por nuk ka mbetur plagë shoqërore pa ndjerë dorën tënde të butë. Ke prekur papunësinë, emigracionin, hapat e mekura të përparimit shoqëror.

Po prapë unë do të kthehem te dashuria, dashuria, dashuria…

Ti i ke kënduar, Zhanit, gruas tënde të shtrenjtë dhe ne e citojmë dhe recitojmë atë himn. Dhe për një copë herë të marrim edhe inat, se na duket sikur gratë tona presin himne të tilla edhe nga ne, të pazotët. Por në atë himn ti, i dashuri mik, i ke kënduar edhe grave tona. Të gjitha grave tona të mira.

Për ta mbyllur unë këtë “himnin” tim rilexova një tufë nga poezitë e tua të zgjedhura dhe matesha të veçoj për citim tri katër vargje. Lëkundesha mes “Ëndrrës me nuse” “Të thashë mos e fik dritën”… Pastaj nuk më linte rehat troku i kalit që vjen nga Spanja, nga balada “Nëntë vjet e nëntë ditë” Për pak zgjodha vargje nga “Baba ne ikëm” me atë tregimin se “varrin ta futëm në video dhe çdo të dielë të takojmë në xhamin visual”

Por iu ktheva përpjetë erosit e vendosa të ndalem aty. Se ndryshe do të më mallkojnë vajzat e bukura të  hapësirave shqiptare, ngaqë i ke magjepsur me ato figurat plot finesë, të çifteve të zhveshur lakuriq që përqafen egërsisht përmbi dëborë dhe që me zjarrin e përqafimit shkrijnë dëborën nën vete dhe prekin truallin. 

Tek tërheqja pas hireve femërore do të ndalem, por jo tek zjarre të tillë, si ky më sipër. Po sjell një dashuri adoleshentësh, magnetizimin e një djali trembëdhjetë vjeçar

………………………………………………..

për malin më të lartë, pyeti mësuesi

dhe pret që unë t’i them: Himalaja.

As sot s’e di pse mbeta si guak,

pse mbeta si hu e s’munda që të flas,

pse kokën e ktheva “pa dashje” aspak

drejt gjirit të shoqes së bankës, në klasë…

 Le të ma marrin këtë urim, si shfaqje dashurie. Është dashuria ime këtë radhë. Më shumë se dithyramb kjo është një thirrje për vëmendje. Thirrje është fjalë e squllët. Klithmë është ajo më e sakta. Një klithmë sado e vetmuar. Ty duhet të të hapin vend fletët e antologjive shkollore, Petrit. Parcelat mësimore duhet t’i bëjnë vend blerimit tënd. Ti je farë, Petrit Ruka. Ti duhesh mbjellë!

(f.g/dosja.al)

1 vit nga zgjedhjet e 25 prillit si e shikoni gjendjen e vendit:

View Results

kulture kulture ditelindja e petrit rukes pellumb kulla petrit ruka ditelindja e petrit rukes pellumb kulla petrit ruka

Sondazh

Poll