Politike

Opozita e re braktisi Kuvendin, Balla: Nuk i kuptoj, presion ne nuk na bëni dot. Jemi gati të diskutojmë për listat e hapura

9 Korrik 2020, 13:44 Nga DOSJA
Opozita e re braktisi Kuvendin, Balla: Nuk i kuptoj, presion ne nuk na bëni

TIRANË- Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka folur në Kuvend pas largimit të deputetëve të opozitës, të cilët lanë seancën në shenjë proteste. Në fjalën e tij, Balla u shpreh se nuk e kupton aktin e tyre për braktisjen e punimeve.

Më tej në fjalën e tij ai ka reaguar dhe për propozimin e listave të hapura, duke shtuar se për PS-në nuk është tabu dhe janë gati të diskutojnë për këtë çështje. Numri 2 i PS-së tha se “kush mendon që mund të na bëjë presion, flas për opozitën jashtëparlamentare, apo edhe për këta që ikën, opozita brenda parlamentit, për marrëveshjen, apo marrëveshjen me ju, ta harroni. Ne nga bojkoti kurrë nuk jemi surprizuar, as nuk vendosemi në presion”.

PJESË NGA DEKLARTA

Pas këtij akti të largimit të gjithë deputetëve të opozitës parlamentare, besoj që në emër të shumicës më duhet të shpreh disa konsiderata, sepse pothuajse jemi kthyer në të njëjtat kushte që kemi qenë para 18 muajve, ku Saliu i pari, Luli e Monika largoheshin nga seanca për të kushtëzuar votën e tyre për votime të rëndësishëm që kishin të bënin me reformën në Drejtësi kryesisht. Unë gjithmonë e kam mbështetur dhe falënderuar opozitën parlamentare e cila në mënyrë të vazhdueshme ka mbështetur me votë reformën në drejtësi, prandaj, unë nuk e kuptoj se çfarë kërkojnë me këtë largim nga parlamenti. Këta bëjnë presion duke ikur, Luli nga jashtë bën presion që Parlamenti të votojë marrëveshjen. Luli kërkon takim jashtë godinës, këta brenda, po mirë po partia që unë përfaqësoj, ka të drejtë të kërkojë ndonjë gjë, apo vetëm ju keni të drejtë të kërkoni?

Ju kërkoni kodin me komisonerë partie, këta  e kërkojnë pa komisionerë, ju kërkoni lista të hapura, ne jua kemi thënë troç, listat nuk janë tabu për ne, mund të hapen, por pa dyshim që ka disa rregulla, norma bashkëshoqëruese, sepse të gjithë e dimë që nëse hapim listat, fleta e votimit, nëse është ky sistem siç është, fleta e votimit bëhet një libër me 100 faqe, ku duhet të hapësh kapitullin që të gjesh koalicionin, e pastaj të gjesh faqen ku është partia që ti preferon. Po kjo histori, që ju vini kushte duke ikur, ata duke bërtitur, ju vini kushte për të mos votuar një marrëveshje që, unë bie dakord nuk është më e mira, por ishte një marrëveshje që na garanton që të diskutojmë. Kush mendon që mund të na bëjë presion, flas për opozitën jashtëparlamentare, apo edhe për këta që ikën, opozita brenda parlamentit, për marrëveshjen, apo marrëveshjen me ju, ta harroni. Ne nga bojkoti kurrë nuk jemi surprizuar, as nuk vendosemi në presion.

Ne do të vijojmë komunikimin në komision të ligjeve për të diskutuar, për të gjetur zgjidhjen më të mirë të mundshme për hapjen e listave, ndoshta jo të plotë, si një hap të parë, sepse e rëndësishëm është që Kuvendi i ardhshëm të ketë sa më shumë barazi gjinore. Temat tuaja që nuk prekin marrëveshjen e 5 qershorit, ne jemi të gatshëm të vijojmë t’i diskutojmë. Për çështjet e tjera puna  e Kuvendit duhet të vazhdojë dhe thirrja ime është që opozita parlamentare të rikthehet në parlament sepse ka treguar që ka qenë një qasje tjetër nga ajo e bojkotit. E mirëkuptoj arsyen, në kuptimin e  një presioni për të treguar se maxhoranca nuk i ka mundësitë për ta kaluar e vetme, ndaj jemi munduar të gjejë komunikim për gjetjen e  një zgjidhej dhe për kërkesën e hapjes së listave. Për ne nuk është tabu, i hapim, por t’i gjemë të gjithë modalitete që kjo hapje të shkojë në dobi të procesit të formësimit të parlamentit të ri që do të dalin nga këto ndryshime kushtetuese.

(A.B. Dosja.al)

1 vit nga zgjedhjet e 25 prillit si e shikoni gjendjen e vendit:

View Results

politike politike reforma zgjedhore seancë plenare 9 korrik 2020 taulant balla reforma zgjedhore seancë plenare 9 korrik 2020 taulant balla

Sondazh

Poll