Aktualitet

Ministri Ahmetaj nuk ka një plan për pastrimin e qytetit nga grumbujt e dherave, betonit dhe mbetjeve që po ndotin Shijakun

7 Maj 2020, 14:38 Nga DOSJA
Ministri Ahmetaj nuk ka një plan për pastrimin e qytetit nga grumbujt

TIRANË– Dy ditë më parë emisioni investigativ Fiks-Fare denoncoi veprimet e drejtorit të shkollës 9 vjeçare “Hillari Klinton” në Kamëz e cila është shkatërruar nga tërmeti i 26 Nëntorit. Bashkëpunëtorët e emisionit investigativ  Fiks-Fare shkuan disa herë në rrënojat e shkollës dhe zbuluan se materialet nuk dërgoheshin në fushën e grumbullimit (sic pretendoi drejtori i shkollës  Hysen Koldashi ) por mbaheshin aty dhe shiteshin pjesë-pjesë. Ndërkohë tonelata të tëra me inerte hidheshin në vende të paidentifikuara. Ky investigim i Fiks Fare nxjerr në pah një problem, i cili shumë shpejt do të kthehet në bombë ekologjike.

Dy ditë më pare 18 pallate të dëmtuara nga tërmeti i 26 Nëntorit u shembën në zonën e luginës në Shijak, e cila është dhe zona më e prekur nga kjo fatkeqësi. Në këtë lagje pritet të nisë shumë shpejt dhe procesi i rindërtimit. Këtë gjë e bëri publike Ministri i Rindërtimit Arben Ahmetaj në prani të kryeministrit Edi Rama dhe  kryebashkiakut  Elton Arbana. Në total nga dëmet e shkaktuara nga tërmeti do të shemben 30 pallate. Shembja e pallateve është bërë me fadroma dhe ka sjellë një grumbullim mijëra tonësh dherash papastërtish dhe ndotje, e cila qëndron ende mes zonës së banimit. Por ndërsa ka një plan për rindërtimin duket se nuk ka një plan për pastrimin e qytetit nga kjo bombë ekologjike që shkaktoi shembja e godinave. Ankesave të  banorëve përreth, të cilët jetojnë mes grumbujsh dherash, dhe mbetjesh të ngurta nuk i është përgjigjur asnjë zë qeveritar.

Ne ju drejtuam me një pyetje Ministrit të Rindërtimit z. Arben Ahmetaj dhe i kërkuam atij një prononcim për të na sqaruar se ku shkojnë këto mbetje të ngurta pas shembjes. Si do të hiqen ato nga zonat e banuara dhe kur do të ndodh kjo. Por deri në këto momente ai ka refuzuar të flasë dhe nuk i është përgjigjur interesimit të “Dosja.al”, duke na lënë të besojmë, se nuk ka një plan për sistemimin e mbetjeve, por vetëm një plan për rindërtim.

Prej dy ditësh ashtu si në shkollën “Hillari Klinton” në Kamëz inertet e shkaktuara nga shembja e 8 pallateve kane nisur të shpërndahen, të mbushen me njerëz që kërkojnë në rrënoja dhe të hidhen në vende të paidentifikuara duke sjellë një ndotje të madhe në mjedis. Mungesa e një plani për heqjen e inerteve dhe lënia e tyre pa kontroll në zona të banuara, do të sjellë një katastrofë ekologjike të pariparueshme për mjedisin. Investigimi ynë mbi këta grumbuj dherash betoni dhe tullash të shkatërruara që kanë mbushur Shijakun, por dhe së fundmi  Tiranën me shembjen e shkollës së mesme “Sami Frashëri”, do të vazhdojë.

Dosja.al

1 vit nga zgjedhjet e 25 prillit si e shikoni gjendjen e vendit:

View Results

aktualitet aktualitet arben ahmetaj fiks fare arben ahmetaj fiks fare

Sondazh

Poll