Politike

Po shkojmë drejt humnerës, apo lirisë? Dilema e sotme për COVID-19, Rama i ‘hodhi sytë’ nga Europa

3 Maj 2020, 10:54 Nga DOSJA
Po shkojmë drejt humnerës, apo lirisë? Dilema e sotme për

A duhet që brenda muajit maj të hiqen masat shtrënguese për COVID-19? A duhet të shkojmë plotësisht drejt hapjes? A duhet t’i tregojmë “dhëmbët” virusit duke e shpërfillur atë? Këto pyetje në fakt kanë vënë në dilemë edhe shtetet më të fuqishme në botë, pasi ende nuk dihet si dhe kur mund të zhduket plotësisht virusi.

Por çfarë po ndodh në Shqipëri dhe deri kur do të vazhdojë lufta me COVID-19? 

Kryeministri Edi Rama javët e fundit nuk e ka përmendur më termin “jemi në luftë me një armik të padukshmëm”. Ndërkohë, ka publikuar së sërë masash lehtësuese dhe pritet që në fund të majit të fillojë lirshëm lëvizja dhe të hapen të gjitha bizneset. Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ka deklaruar se nga data 4 maj do të përfshiren në “zonat e gjelbërta” edhe 18 bashki të tjera në vend që konsiderohen me risk të ulët për përhapjen e infeksionit. Sipas saj, një tjetër lehtësim do të jetë dhe lëvizja me taksi në të gjithë vendin, ku mund të jenë 2 anëtarë të një familje gjatë udhëtimit. Po kështu në 11 maj do të lejohen të vijojnë punën berberët dhe parukerët. Ajo nënvizoi më tej se nga data 18 maj do hapen baret dhe restorantet që kanë ambient të jashtëm. Ndërkohë janë hapur edhe dhjetëra biznese të tjera në vend. Ministrja dha edhe një lajm të mirë për emigrantët që duan të riatdhesohen, pasi nga  java e ardhshme nuk do detyrohen më të rrinë të izoluar në hotele për 14 ditë, po karantinimi do të bëhet në banesat e tyre. 

Siç shihet qeveria e ka “lëshuar”dorën me masat për COVID-19, por pyetja është apo vepron në kohën e duhur dhe me masat e duhura?  Kurba e infeksionit në Shqipëri herë ulet dhe herë ngrihet. Ka ditë që shqiptarët “gëzojnë”, pasi numri i rasteve reja me COVID-19 është i ulët, 7,9 10, por ka ditë që kurba ngrihet papritur, mbi 30 të infektuar brenda 24 orëve. Për këtë këtë çështje edhe specialistët e ISHP-së janë të dyzuar. Disa thonë që piku i virusit ka kaluar, e disa të tjerë parashikojnë se në vjeshtë do të ketë një shpërthim tjetër të virusit. Edhe kryeministri Edi Rama i trembet kësaj situate. Teksa publikon masat e reja, javë pas jave, ai thekson se plani i lirimit të masave mund të ndryshojë, nëse dinamika e epidemisë ndryshon negativisht.

Mos vallë Edi Rama me lehtësimet e masave po frymëzohet nga shtetet e huaja, të cilët nga dita në ditë po i kthehen normalitetit? Nëse po,  a mundet Shqipëria ‘të imitojë’ vende, të cilat edhe në përballjen me pandeminë kanë një sistem shëndetësor shumë të zhvilluar? A mund të na çojë kjo drejt një rreziku të ri? Ndoshta Rama po merr risqe të tilla, pra për të dalë nga kjo situatë, pasi vendi është i zhytur në krizë në ekonomike dhe se shumë shqiptarë nuk kanë me çfarë ushqehen. Mijëra biznese janë mbyllur dhe mijëra punonjës kërkojnë “pagën e luftës”. Protesta, thirrje kundër qeverisë, njerëz që ankohen se po i “mbyt” stresi, emigrantë që kërkojnë ndihmë nga shteti, pasi nuk kanë të paguajnë as karantinimin, tregtarët që ngrejnë zërin, pasi duan t’i kthehen punës. Ky është realiteti shqiptar, që u shkaktua nga  virusi në vetëm pak javë.  E ndoshta Ramës kjo situatë “ia futur këmbët në një këpucë” dhe lehtëson masat, ndërkohë që COVID-19 nuk është larguar nga vendi. 

Shtetet nga të cilat mund të jetë frymëzuar Rama

Gjermania

Gjermania është një nga shtetet e Europës që po i kthehet jetës normale. Pas diskutimeve Angela Merkel ka deklaruar se jane hapur sheshet e lojërave për fëmijë, institucionet si muzetë, vendet përkujtimore, kopshtet zoologjike, kopshtet botanike, kishat. Po kështu, qeveria federale në Gjermani, po planifikon që të hapë shkollat në të gjithë vendin, qendrat e kujdesit ditor dhe ambientet sportive. Hapja e sektorëve të tjerë si gastronomia dhe turizmi do të diskutohen në takimin e radhës së qeverisë, që do të zhvillohet më 6 maj. Mësohet se North Rhine-Westphalia po ndërmerr një hap të madh në hapjen e shkollave. Në këtë shtet fedeal është vendosur që të gjithë nxënësit e shkollave fillore të kthehen në shkollë më 11 maj.

Austria

Duke nisur nga 1 maji, autoritetet austriake kanë lejuar mbledhjen e grupeve të njerëzve, deri në 10, ndonëse u duhet të qëndrojnë në distancë nga njëri-tjetri  Po ashtu, është parashikuar që hotelet të rihapen më 29 maj. Ndërkoha puna nga shtëpia vazhdon të rekomandohet. Dyqanet e vogla në Austri tashmë janë rihapur, ndërsa restorantet dhe kafenetë do të rinisin biznesin nga data 15 maj. 

Zvicra dhe Norvegjia

Zvicra po ndjek hapat e fqinjëve të saj, Gjermanisë dhe Austrinë, pasi ka hapur dyqanet, qendrat tregtare dhe kopshtet. Po kështu janë lejuar që të zhvillojnë aktivitetin e tyre edhe klinikat mjekësore private, dentistët, parukeritë, qendra e masazheve, sallonet e bukurisë.  Gjithashtu edhe spitalet po kryejnë tërë gamën e tyre të procedurave, përfshirë operacionet jo-urgjente.  Nëse situata paraqitet e qetë në vijim autoritetet do të hapin edhe shkollat më 11 maj. Ndërsa, muzetë, universitetet, kopshtet zoologjike dhe bibliotekat janë planifikuar të rihapen në 8 qershor. E njëjta situatë është edhe në Norvergji. Përveç hapjes së një sërë biznesesh, nxënësit e moshës nga  gjashtë deri në dhjetë vjeç janë ulur në tavolinat e shkollës, pas disa javësh mësimi online.

Aktualisht në vendin tonë 789 të infektuar, janë shënuar 31 viktima dhe 518 kanë fituar betejën me virusin. Në vend ka ende vatra ‘të nxehta’, si fasoneritë në Krujë e Tiranës, apo edhe  vatrat e infeksionit në burgje. Të gjithë janë në dilemë për COVID-19, dhe pyetja që nuk ka një përgjigje është: Po shkojmë drejt humerës, apo lirisë? Kryeministri Edi Rama i ‘hedhur sytë’  edhe nga Europa për të këtë situatë. 

(J.V./dosja.al)

1 vit nga zgjedhjet e 25 prillit si e shikoni gjendjen e vendit:

View Results

politike politike edi rama koronavirusi ne shqiperi lirimi i masave te koronavirusit plani i masave per covid-19 edi rama koronavirusi ne shqiperi lirimi i masave te koronavirusit plani i masave per covid-19

Sondazh

Poll