Insights

PICOLO GRANDE AMORE…

23 Shkurt 2020, 06:14 Nga DOSJA
PICOLO GRANDE AMORE…

Bëri bujë martesa e Fuatit atë dimër të egër të vitit 1975. U çuditën njerëzit jo që ai gjeti nuse,por që mori një vajzë yll. E gjatë,elegante,e qeshur,me sy jeshilë e lëkurë zeshkët. Të drithëronte kur e shihje. Isha student atëhere dhe kur e ndesha te shkallët e banesës gëlltita dy herë pështymën. Kaq më shijoi sa i hodha një sy.

Fuati dhe Elsa, kështu quhej nusja e tij, qenë fqinjët e mij. Një kat më poshtë. Babai i Fuatit seç foli kundër qeverisë te puna si mekanik dhe e pa veten në burg. E dënuan 17 vjet. Do internonin dhe Fuatin, por nëna e tij kishte një dëshmor në fis ndaj nuk e trazuan.

E lanë te puna si xhenerik ama askush nuk i fliste. As mirëmëngjes nuk i thoshin kur niste ditën. Pas ca muajsh që u burgos i ati vdiq nëna e ngratë. Në varrim nuk e çuan me makinën e Gaqos, por me karrocën e komunales. Pas kalit ecte Fuati deri te gropa. Sa shtinë brenda xhenazen karrocieri fluturoi me karrocën sikur Fuati të kishte fruthin. Ndenji deri sa ra nata e erdhi në shtëpi,i vetëm mes katër mureve. Kështu kaloi muaj e disa vite deri sa …u martua.

-Ka marrë një artiste,-tha nëna ime.

Kështu i cilësonte ajo njerëzit e bukur. Zjeu pallati nga thashethemet deri sa Petro,që ishte shef kuadri,i tha babait se bënin mirë mos i flisnin as Fuatit, as Elsës nga që dhe ajo ishte vajza e një armiku. I ati i saj një piktor i shquar deri dje donte të pushtonte komitetin. Kur dëgjova pushtim komiteti m’u bë sikur piktori qe tankist e donte ta shfaroste fare ndërtesën në qendër të Korçës.

Sigurisht që nuk i folëm. Ama u bë traditë që te ai guri i madh në hyrja e pallatit të rrinim plot e plot djem e burra e të prisnim kur do delte Elsa nga shtëpia. Se shkonte ajo në pazar a te ndonjë fis në qytet. E shihnim, e kullufitnim dhe secili ruante në nëndërgjegje ato copa të trupit të saj që i bënin punë. Unë ende diku kam arshivuar sytë e saj dhe një pérveshje të buzës së poshtme.

Kaluan vite kështu. U largova student,gjeta një të dashur që i ngjiste Elsës,u martova me të,shkova me punë në Tiranë, m’u rritën fëmijët,u martuan,u bëra gjysh,ika në Amerikë dhe…në një fluturim nga Bostoni në Detroit shoh te stoli ngjitur Fuatin. I plakur,i dobësuar,por sytë ishin ata,të 40 viteve para.

-Nuk më njeh?- e pyeta.

Picérroi sytë. Nuk më mbante mend. Sapo doja t’i thoja emrin m’u hodh e më pérqafoi.
-Gimi i Alajdinit?-e kishte dhe si pohim, dhe si pyetje.

Nuk folëm ca çaste,vetëm u pérmallëm me shikime. Më pas nuk rreshtja së pyeturi e së pyeturi.

Udhëtimi qe i shkurtër, por Fuati nuk rreshti së treguari. Kishte erdhur në Amerikë qysh më 1992. Mbushi plot 27 vjet në Detroit. Në Boston jetonte çuni i vetëm. Deri sa erdhi në Amerikë nuk lindën fëmijë. S’donim të rritej si ne,mes njerëzve që nuk na flisnin e s’na pérshëndesnin. Ishte sikur jetoje në një planet me bashkëqytetarë që janë shurdhë,memecë dhe qorra. Askush nuk na vinte re kur ecnim, kur sëmureshim, kur rrëzoheshim. Kur na dhembte barku a koka s’kishim kujt t’i ankoheshim. Ndaj sa shkelëm në Michigan,që natën e parë bekuam zotin dhe unë bekova Elsën të lindte fëmijë. Patëm fat,sot biri ynë është inxhinier. Rri me një gocë,mbase martohet së shpejti.

Kur e pyes se si e pérballoi izolimin e gjatë të shoqërisë,më tha se ai dhe gruaja jetuan sipas shprehjes “Picolo Grande Amore”. Ai nuk e di kuptimin e këngës së famshme,por me këtë nënkupton se ai jetoi një dashuri të madhe brenda atij indiferentizmi gjigand.

-Sa herë ktheheshim nga puna,lanim duart,fytyrën,ndërronim rrobat dhe njéri prej nesh delte jashtë shtëpisë. Por vetëm gjysëm metér larg. Gruaja mbyllte derën unë trokisja nga jashtë. Kush është, pyeste ajo. A pranoni miq,pyesja unë. Urdhéroni,thoshte ajo dhe hapte drën. Më pérqafonte dhe më pyeste sikur të isha psh një kushéri i saj. Si je Bajram,si e ke gruan,fëmijët. Me shëndet si po ia çon,po me punë. Pastaj unë i pérgjigjesha si Bajram. I fantazoja se ishim mirë,punonim fort, i tregoja se vajza qe bërë këngëtare,djali kishte qejf matematikën. E vazhdonim me teatër disa orë. Kur vinte nata unë dilja te dera,Elsa më thoshte të fala dhe mbyllej dera. Pastaj e hapja vetë dhe kthehesha në Fuat. Bëheshim gati pér gjumë. Dita na kaloi me miq, i thonim vetes.
Një ditë në javë, zakonisht të shtunave mbasdite, kapnim pérkrahu njéri tjetrin dhe bënim xhiro në shtëpi. Nga kuzhina,në koridor, në dhomën e gjumit dhe kthim.

Ngadalë duke qeshur e duke përshëndetur majtas e djthtas. Si je Nesti, pyesja unë ajrin majtas. Ornela si ja ke kaluar, pyeste Elsa ajrin djathtas. E me plot thirrje e fjalë na dukej se qemë mes njerëzve të pallatit e qytetit.

Ndérsa të dielave,nga që dritarja shihte stadiumin,bënim tifozllëk të madh. Ndanim se cili ekip ishte imi dhe cili i Elsës dhe bértisnim sikur qemë të tribuna pérballë. Aq gëzoheshim pér golat sa edhe sot mbaj mend golat që bënte ekipi im. Qe një lumturi e madhe marrëzia e të djelave.

Shtëpia aq e vogël na u bë bota e madhe jashtë. Brenda saj ishte bulevardi,stadiumi,teatri,koncerti,këndi i ëndërrave. Po e shpjegoj,më tha Fuati.

Rrinte Elsa te një karrike në qoshe të kuzhinës e më pyeste:

-Çfarë ëndërre do të të realizoj?

-Të më flasin njerëzit,-i thoja me vrap.

Ajo ngrihej dhe imitonte zë burrash e grash:

-Si je,o byrazer?

-O zemër si ndjehesh?

-Fuat,të kam shokun më të ngushtë.

Ndërsa kur e pyesja unë për ëndérrën e saj,më thoshte:

-Dua shumë fëmijë.

Menjëherë nisja rolet. Sikur isha mësues dhe bërtisja:

-Ti,Vjollca,vajza e Elsës duhet ta bësh më të bukur shkrimin,ashtu si e qeshura e mamasë tënde. Kujdes Agron,ty po të flas. Më dëgjo se do detyrohem t’i them Fuatit,babait tënd që je çamarrok e ma prish mësimin…Bravo Mira,lum Fuati dhe Elsa për talentin tënd,do shkosh në festival vitin që vjen se e meriton. Më tej s’mundesha,stepesha,nuk flisja,e merrja në gji dhe lotonim të dy aq gjatë sa na merrte gjumi mbi karriken e shtrembër.

Avioni u ul në pistë.

-Arritëm,-tha Fuati.

Ecëm bashkë deri të dalja. Nga larg u dëgjua emri i tij. Shoh një plakë të bukur që ecte ngadalë,por kishte nxitim në sy. Kur u afrova i pashë vështrimin. Ishte ai që unë ia kam kyçur në trurin tim. I lashë të pérqafuar dhe u derdha drejt nipit e mbesë sime. Picolo grande amore është vetë jeta. Dashuritë e thyejnë izolimin ashtu si dielli e shkrin akullin.

Çdo orë e nga pak…

1 vit nga zgjedhjet e 25 prillit si e shikoni gjendjen e vendit:

View Results

blog blog agim xhafka tregimi i te dieles agim xhafka tregimi i te dieles

Sondazh

Poll

Insights 22 Shkurt 2020, 20:45

Kur koncesionet cënojnë sigurinë kombëtare

TIRANË- Para tre apo katër vjetesh ish ministri i shëndetësisë Ilir Beqja shpalli nismën për të dhënë me koncesion laboratorët e analizave në spitalet publ...

Insights 22 Shkurt 2020, 18:16

Të rrosh a të mos rrosh në Toronto

Sapo kisha dalë nga një prej auditoreve të Ryerson University. Fakulteti i Shkencave Sociale kishte organizuar një trajnim disa ditor mbi parandalimin dhe ndërh...

Insights 20 Shkurt 2020, 20:44

Në vend të një testamenti

(R.I.P Dhjetor ’90 dhe Shkurt ’91. Ndoshta kështu mendojnë edhe shokët e mi të Dhjetorit ’90 dhe Shkurtit ’91)A mundemi ta ndryshojmë jetën tonë?A m...

Insights 20 Shkurt 2020, 15:23

Për bustin që nuk e rrëzuam kurrë

TIRANË– Më 20 shkurt 1991, unë isha 10 vjeç. Kam qenë gjithë sy e veshë për të dëgjuar nga të rriturit diçka më shumë, një koment apo përjeti...

Insights 20 Shkurt 2020, 09:55

Paraziti – Kush është paraziti?

Dhe kjo çështje nuk lidhet aq shumë me përtesën që shikuesit e filmave mund të kenë në lidhje me leximin e titrave, sa lidhet me konsiderimin e Hollywood...