Politike

Berisha: Balluku po kërkon të marrë nënshtetësi në vende të tjera

Në konferencë me gazetarët, Berisha deklaroi se Belinda Balluku ka pasur në menaxhim 12 mld euro për infrastrukturën, por sipas tij këto janë shpërdoruar.

27 Mars 2026, 13:11 Nga I.A
Berisha: Balluku po kërkon të marrë nënshtetësi në
Sali Berisha

TIRANË- Kryedemokrati Sali Berisha ka deklaruar sot se ish-zv.kryeministrja Belinda Balluku po kërkon të marrë nënshtetësi në vende të tjera për t'i shpëtuar drejtësisë. Në konferencë me gazetarët, Berisha deklaroi se Belinda Balluku ka pasur në menaxhim 12 mld euro për infrastrukturën, por sipas tij këto janë shpërdoruar.

Në fund, kryedemokrati i bëri thirrje vendeve të Evropës dhe Botës, por edhe bankave të huaja që të “ngrijnë” llogaritë bankare të Ballukut dhe kryeministrit Rama. Berisha theksoi se një veprim i tillë do të ishte i papranueshëm dhe në kundërshtim me parimet e përgjegjshmërisë dhe transparencës.

'Përsëri vazhdon censura 100% e plotë dhe totale si kurrë ndonjëherë për Ballukun, dosjen e saj. Ajo çka mund të informoj unë, të dhëna nga qytetarë digjitalë më pohojnë se Balluku, Lubia është në kërkim të blerjes së shtetësisë dhe pasaportave jo në një, por në disa vende. Përpjekjet e fundit të saj kanë qenë për të blerë pasaportë me investim në Serbi. Thuhet se ato përpjekje nuk janë kurorëzuar me sukses pas disa përpjekjeve që ajo bëri në vendet e Gjirit Persik. Pra, Lubi Balluku po përgatitet të blejë shtetësi për të shpëtuar në mënyrë përfundimtare përgjegjësisë para ligjit, pasi ajo ka vjedhur në Shqipëri dhe shpërdoruar miliarda e miliarda euro. Gjatë periudhës së saj, ajo ka administruar 12 mliardë euro. Më shumë se kushdo tjetër në historinë tonë kombëtare. Por ajo ka vjedhur nga 90 gjer në 100%. Natyrisht kurrë autore e parë.

Edi Rama qëndron mbrapa çdo vjedhje. Tani, ajo kërkon të blejë shtetësi. Sipas burimeve, përpjekje të fuqishme ka bërë edhe në Beograd. Ndërkohë po interesohet edhe në vende të tjera që e kanë këtë praktikë. Thirrja ime për komunitetin ndërkombëtar është, asnjë pranim i kërkesës për shtetësi të një personi që në shërbim të Edi Ramës qëndron në themel të krizës së madhe, në themel të varfërimit të një populli të tërë. Imagjinoni ju 12 miliardë euro që ka pasur ajo në portofolin e saj dhe që ka gjithsej në sipërfaqe 8 rrugë të shkatërruara dhe nuk ka asgjë që u mbetet shqiptarëve. Do të ishte shkelje e të gjitha konventave ndërkombëtare çdo pranim i kërkesave të saj. Rikujtoj edhe njëherë se çdo qindarkë e saj është një vjedhje që Edi Rama dhe Lubi Balluku u kanë bërë shqiptarëve. Ndaj dhe u bëj thirrje vendeve të Evropës dhe botës, institucioneve financiare ndërkombëtare dhe bankave të huaja të ngrijnë me urgjencë çdo llogari të Lubi Ballukut dhe Edi Ramës se ato janë pasuri të qytetarëve shqiptarë,' tha Berisha./Dosja.al

sali berisha

Sondazh

Poll