Aktualitet

“Largohu se të vrasë edhe ty"! Familjarët rrëfejnë detaje tronditëse nga tragjedia në Podujevë

Njëri prej anëtarëve të familjes Gashi, i cili ka dashur të mbetet anonim, ka dhënë detaje për Klan Kosova, duke mohuar disa nga informacionet që janë shpërndarë.

23 Mars 2026, 21:05 Nga E. D
“Largohu se të vrasë edhe ty"! Familjarët
Ardita Gashi dhe Ilaz Brahimi

PODUJEVË- Detaje të reja janë zbardhur nga vrasja e ndodhur mbrëmjen e kaluar në fshatin Majac të Podujevës, ku u shënuan tre viktima. Që nga momenti i ngjarjes, mediat kanë raportuar versione të ndryshme, ndërsa familjarët po përpiqen të sqarojnë atë që ka ndodhur.

Njëri prej anëtarëve të familjes Gashi, i cili ka dashur të mbetet anonim, ka dhënë detaje për Klan Kosova, duke mohuar disa nga informacionet që janë shpërndarë.

Ai ka theksuar se familja e tyre nuk ka pasur kurrë konflikte të dukshme me askënd dhe se nuk kanë qenë të vetëdijshëm për marrëdhënien që Ardita Gashi, 31-vjeçare, kishte me Ilaz Brahimin, 45 vjeç nga Obiliqi.

Sipas familjarit, ngjarja ka ndodhur në mënyrë të papritur dhe dhunshëm. Ai ka treguar se pas incidentit të parë, Ardita Gashi u është afruar pjesëtarëve të tjerë të familjes. Ai ka sqaruar gjithashtu se arma e përdorur ishte një pistoletë, duke mohuar pretendimet se Ardita kishte përdorur një armë automatike kundër Ilaz Brahimit dhe gruas së xhaxhait.

“Pasi qëlloi atë djalin, ajo shkoi tek nusja e xhaxhait. Ajo ishte bashkë me nusen e djalit dhe tre fëmijët. Ardita iu tha të dilnin jashtë sepse kishte diçka për të biseduar me nusen e xhaxhait. Sapo dolën, dëgjuam të shtëna. Ne ikëm menjëherë, por ajo u mbyll në dhomën e fëmijëve. Kur vëllai tentoi të hynte, ajo drejtoi armën ndaj vetes dhe i tha ‘largohu, se do të të vras edhe ty’”, ka treguar familjari.

Si ndodhi ngjarja? 

Tragjedia ndodhi mbrëmjen e 22 marsit. Ardita Gashi dyshohet se ka vrarë Ilaz Brahimin. Ndërsa, një tjetër pjesëtar i familjes, Miradije Gashi, u plagos rëndë dhe ndërroi jetë mëngjesin e së hënës gjatë trajtimit në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Ardita Gashi u dërgua në QKUK në gjendje kritike për shkak të plagëve nga vetëplagosja, por nuk mundi të mbijetonte dhe vdiq gjithashtu mëngjesin e së hënës.

Nga ana e saj, zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kaltrina Shala, ka deklaruar se ngjarja kishte filluar si pasojë e një mosmarrëveshjeje mes Ardita Gashit dhe Ilaz Brahimit. Hetimet vazhdojnë për të sqaruar të gjitha rrethanat dhe motivet e kësaj ngjarjeje të rëndë që ka tronditur komunitetin./Dosja.al

podujevë majac ardita gashi

Sondazh

Poll