Aktualitet

The Telegraph: Si trafikantët shqiptarë të drogës po përdorin skllavërinë moderne për të shmangur deportimin

Sekretarja e Brendshme, Shabana Mahmood, ka njoftuar planet për të deportuar mijëra të huaj të dënuar dhe kërkues azili të refuzuar para se ata të përdorin ligjet e të drejtave të njeriut për të bllokuar largimin e tyre.

23 Mars 2026, 20:32 Nga E. D
The Telegraph: Si trafikantët shqiptarë të drogës po
Shabana Mahmood

ANGLI-  Shqiptarët e përfshirë në trafikun e drogës kanë pretenduar se janë viktima të skllavërisë moderne në një përpjekje për të shmangur deportimin. Ata kanë paraqitur ankesa në gjykatat e imigracionit për të bllokuar kthimin e tyre në Shqipëri me arsyetimin se janë “skllavëruar” nga bandat për të kryer krimet e tyre, shkruan The Telegraph.

Në dy rastet e fundit, të dy tregtarëve të drogës iu lejua të qëndronin në Mbretërinë e Bashkuar pasi gjykatat e larta të imigracionit vendosën se gjykatat e shkallës së parë kishin bërë "gabime ligjore", duke kërkuar që apelimet e tyre të rishikohen.

Sekretarja e Brendshme, Shabana Mahmood, ka njoftuar planet për të deportuar mijëra të huaj të dënuar dhe kërkues azili të refuzuar para se ata të përdorin ligjet e të drejtave të njeriut për të bllokuar largimin e tyre.

Zyrtarët kanë identifikuar 25 vende ‘të sigurta’, përfshirë Shqipërinë, ku do të deportohen menjëherë ata që kanë humbur kërkesat e azilit dhe të huajt e përfshirë në krim, para se të bëjnë apel.

Mahmood gjithashtu ka njoftuar ndryshime ligjore mbi skllavërinë moderne, duke kërkuar që migrantët të bëjnë pretendimin menjëherë pas mbërritjes në Mbretërinë e Bashkuar, jo më vonë.

Sipas statistikave, shqiptarët janë kombi i katërt më i zakonshëm që pretendon të jetë viktimë e skllavërisë moderne, me rreth 2,000 referime gjatë vitit të kaluar, pas britanikëve (5,110), eritreasve (3,083) dhe vietnamezëve (1,998).

Dokumentet gjyqësore tregojnë një rast ku një shqiptar 30-vjeçar, i kontrabanduar në Britani në 2018 nga Franca me ndihmën e një bande droge, fitoi pezullimin e deportimit duke pretenduar se ishte viktimë e skllavërisë moderne.

Ai tha se kishte punuar për bandën në Francë dhe Belgjikë dhe se frikësohej për jetën e tij nëse do të kthehej në Shqipëri për shkak të borxheve ndaj personave që e kishin sjellë në Mbretërinë e Bashkuar.

Në një rast tjetër, një shqiptar 17-vjeçar hyri në Mbretërinë e Bashkuar në tetor 2014 dhe u përpoq të kërkonte azil, porpa sukses. Katër vjet më vonë, ai u dënua për posedim kokaine me qëllim furnizimi, si dhe për posedim dokumentesh të falsifikuara identifikimi dhe drejtim mjeti pa sigurim. Ai u dënua me 40 muaj në një institucion për të mitur.

Ai kërkoi përsëri azil, duke u argumentuar autoriteteve se kishte qenë viktimë e skllavërisë moderne, por të dyja kërkesat u refuzuan. Në prill të vitit 2024, ai u dënua përsëri për posedim kokaine dhe Ministria e Brendshme kërkoi ta deportonte. Megjithatë, ai apeloi duke u bazuar në faktin se largimi i tij do të ishte në shkelje të Konventës për Refugjatët dhe Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Ai pretendoi se do të përballej me ndëshkim pas kthimit në Shqipëri për shkak të lidhjeve të tij me krimin dhe se kishte qenë viktimë e skllavërisë moderne, i cili kishte frikë nga "ri-trafikimi" nëse kthehej. Çështja e tij u kthye gjithashtu për t’u rishqyrtuar nga një gjykatë më e ulët e imigracionit për shkak të gabimeve në vendimet e mëparshme./Dosja.al

shabana mahmood angli shqiptaret azil

Sondazh

Poll