Aktualitet

Protesta e opozitës/ Arrestohen 15 persona, procedohet penalisht deputeti i PD dhe 9 protestues të tjerë

Sipas njoftimit zyrtar, ata akuzohen se kanë hedhur lëndë djegëse molotov në drejtim të institucioneve shtetërore dhe kanë kundërshtuar me forcë punonjësit e policisë gjatë kryerjes së detyrës.

23 Mars 2026, 09:18 Nga D.S
Protesta e opozitës/ Arrestohen 15 persona, procedohet penalisht deputeti i
protesta opozites

TIRANË- Policia e Tiranës ka identifikuar 24 persona si përgjegjës për aktet e dhunës gjatë protestës së opozitës të mbajtur më 22 mars. Sipas njoftimit zyrtar, ata akuzohen se kanë hedhur lëndë djegëse molotov në drejtim të institucioneve shtetërore dhe kanë kundërshtuar me forcë punonjësit e policisë gjatë kryerjes së detyrës.

Mësohet se, 15 persona janë arrestuar në flagrancë, ndërsa 9 të tjerë kanë nisur të ndiqen në gjendje të lirë. Në mesin e të proceduarve është edhe deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, mbi të cilin rëndon akuza për shtyrjen e të miturve drejt kryerjes së krimeve.

Gjatë përplasjeve me protestuesit, kanë mbetur të plagosur 6 efektivë policie, të cilët morën lëndime si pasojë e sulmeve gjatë menaxhimit të situatës para institucioneve.

Njoftimi i policisë:

"Tiranë/ Hodhën lëndë djegëse (molotovë) dhe kundërshtuan dhe goditën punonjësit e Policisë, gjatë tubimit të zhvilluar dje, identifikohen 24 shtetas. Arrestohen 15 prej tyre dhe procedohen penalisht 9 prej tyre. Gjatë tubimit u dëmtuan 6 punonjës policie.

Më datë 22.03.2026, rreth orës 18:00, gjatë zhvillimit të tubimit të organizuar nga subjekti politik Partia Demokratike, disa prej pjesëmarrësve kanë kundërshtuar dhe goditur punonjësit e Policisë së Shtetit, të cilët ishin të angazhuar për garantimin e rendit dhe sigurisë publike.

Gjithashtu, ata kanë hedhur në drejtim të tyre dhe ndaj disa institucioneve lëndë djegëse (molotovë). Si pasojë, 6 punonjës Policie mbetën të dëmtuar gjatë tubimit dhe morën mjekim në spital dhe janë jashtë rrezikut për jetën. Si dhe janë shkaktuar dëmtime në godinat përkatëse, janë djegur disa kosha mbeturinash, si dhe është djegur 1 automjet policie.

Si rezultat i veprimeve hetimore, u identifikuan 24 shtetas që kanë kryer veprime të kundërligjshme gjatë tubimit. Në vijim:
-u arrestuan në flagrancë shtetasit O. K., 43 vjeç; M. J., 53 vjeç; S. D., 48 vjeçe; E. H., 22 vjeç; A. M., 50 vjeç; A. K., 55 vjeç; A. K., 58 vjeç; K. T., 34 vjeç; F. D., 34 vjeç; H. D., 36 vjeç; Xh. T., 40 vjeç; Xh. K., 30 vjeç; E. T., 21 vjeç; I. Xh., 33 vjeç; dhe L. G., 19 vjeç.
-nisi procedimi penal për shtetasit: K. M, E. H, L. M dhe për 5 shtetas të mitur.

Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin K. B., deputet, për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme” dhe “Shtyrja e të miturit më krim”. Grupi hetimor vijon punën për identifikimin e shtetasve të tjerë që mund te kenë kryer veprime të kundërligjshme gjatë tubimit të zhvilluar dje. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.",njofton policia./Dosja.al

protesta e opozites opozita

Sondazh

Poll