Aktualitet

61 vite nga ndarja nga jeta e Imzot Theofan S. Nolit/ Kisha Ortodokse: Noli nxirrte nё pah vlerat shpirtёrore tё kёtij populli

 Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë e ka kujtuar përvjetorin e tij të fjetjes, me anë të një postimi në lfaqen zyrtare në Facebook.

13 Mars 2026, 13:58 Nga D.S
61 vite nga ndarja nga jeta e Imzot Theofan S. Nolit/ Kisha Ortodokse:
Imzot Theofan S. Noli

TIRANË- Sot 13 mars 2026, mbushen 61 vite nga ndarja nga jeta e Imzot Theofan S. Nolit, një prej figurave qendrore të historisë moderne shqiptare dhe Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë e ka kujtuar përvjetorin e tij të fjetjes, me anë të një postimi në faqen zyrtare në Facebook.

Kisha shkruan se Noli, nxirrte nё pah vlerat shpirtёrore tё kёtij populli, duke synuar tё mishёrohej Ungjilli nё gjuhёn e tij. Më tej shkruhet se, kontributi i Nolit mbetet vendimtar për përpjekjet drejt Autoqefalisë së Kishës Orthodhokse të Shqipërisë dhe futjen e gjuhës shqipe në adhurimin hyjnor. Kisha dhe institucionet kulturore vijojnë ta kujtojnë trashëgiminë e tij si një pasuri kombëtare dhe shpirtërore që përcaktoi rrugëtimin e identitetit shqiptar.

Postimi i plotë:

"Përvjetori i fjetjes më Zotin, i Imzot Theofan S. Nolit
13 mars 1965 - 13 mars 2026. Mё 13 mars tё vitit 1965 ndёrroi jetё njё ndёr personalitetet e ndritura pёr Kishёn Orthodhokse Autoqefale tё Shqipёrisё dhe jo vetëm, +Theofan S. Noli, njё personalitet me vlera tё shquara intelektuale. Ai është një nga figurat e rëndësishme të Kombit, Hierark, poet, kompozitor, muzikolog, filozof, historian, politikan dhe përkthyes. Veprimtaria e tij ёshtё dinamike. Ato shfaqen nё prozё, poezi, publicistikё, nё ligjёrata oratorike tё sferave fetare, shoqёrore, politike, kulturore si dhe nё tregime biografike me plot argumente historike. Ai nxirrte nё pah vlerat shpirtёrore tё kёtij populli, duke synuar tё mishёrohej Ungjilli nё gjuhёn e tij. Edhe pse jetoi shumё pak nё Shqipёri, ai punoi me shumё energji, duke dhёnё njё kontribut tё rёndёsishёm nё pёrpjekjet pёr Autoqefalinё e Kishёs Orthodhokse tё Shqipёrisё, veçanërisht në traditën liturgjike me përkthimin e disa veprave të rëndësishme për traditën liturgjike të Kishën Orthodhokse. Veprimtaria e tij nis vrullshëm nё fillim shekullit të XX pёr adhurimin e Perёndisё nё gjuhёn shqipe dhe kjo veprimtari shfaqet pas dorёzimit tё tij si klerik pёr komunitetin shqiptar nё Amerikё.
Hirësia e Tij, Imzot Theofani shërbeu me dashuri dhe devotshmëri për shumë vite deri në fund të jetës si Mitropolit, (Kryepeshkop) i Dioqezës shqiptare në Amerikë.
Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, vazhdimisht i kujton hierarkёt e saj si dhe të gjithё sa kanё kontribuar pёr Tё. Mirënjohje për gjithë veprën e tij! I pёrjetshёm qoftё kujtimi i tij!", shkruan Autoqefalia./Dosja.al

imzot theofan s. noli  kisha orthodhokse autoqefale e shqipërisë

Sondazh

Poll