Politike

Nisma e Gjykatës së Lartë për paraburgimet/ Bardhi: GJL po kryen puç kushtetues për të minuar punën e SPAK

Sipas Bardhit kemi të bëjmë me një urdhër të dukshëm politik që rrezikon përmes paracaktimit të standarteve sipas interesit politik të Edi Ramës, lirimin e të gjithë personave të korruptuar, apo të krimit të organizuar që ndodhen sot në burg.

10 Mars 2026, 11:42 Nga E. D
Nisma e Gjykatës së Lartë për paraburgimet/ Bardhi: GJL po
Gazment Bardhi

TIRANË- Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi denoncoi nismën e ndërmarrë nga Gjykata e Lartë për paraburgimet. Në një deklaratë për mediat, Bardhi e quajti ‘puç kushtetues’ për të minuar punën e SPAK këtë nisëm të Sokol Sadushit për të riparë vendimin unifikues të vitit 2011 mbi masën e sigurimit të arrestit në burg dhe kohëzgjatjen e saj.

Sipas Bardhit kemi të bëjmë me një urdhër të dukshëm politik që rrezikon përmes paracaktimit të standarteve sipas interesit politik të Edi Ramës, lirimin e të gjithë personave të korruptuar, apo të krimit të organizuar që ndodhen sot në burg.

Bardhi akuzoi Ramën se po përdor Gjykatën e Lartë për të zhbërë praktikën 15-vjeçare dhe i bëri thirrje kryetarit të Gjykatës së Lartë dhe anëtarëve të saj të mos përdoren politikisht duke u bërë pjesë e skenarit për të minuar  punën e Prokurorisë së Posaçme dhe gjykatave të posaçme.

"Dhe meqënëse jemi te masat e sigurimit, dua të denoncoj edhe veprimin më të fundit të kryer nga Gjykata e Lartë, e cila dukshëm, e urdhëruar politikisht, po kryen një puç kushtetues për të minuar punën e Prokurorisë së Posaçme, përmes ndryshimit të standarteve të arrestit me burg.

Duke rrezikuar, përmes paracaktimit të standarteve sipas interesit politik të Edi Ramës, lirimin e të gjithë personave të korruptuar, apo të krimit të organizuar që ndodhen sot në burg.

Dje me një vendim personal të kryetarit të Gjykatës së Lartë, është futur në procedurë rishqyrtimi dhe që do të shqyrtohet në datën 9 prill 2026, një vendim për t'u ndryshuar, një vendim unifikues, njëësues i Gjykatës së Lartë që cakton standartet, apo unifikon standartet se kur prokuroria dhe gjykata kërkojnë apo vendosin masën e sigurimit arrest me burg. Dhe kjo është një lëvizje tërësisht politike, e diktuar politikisht, për t'i hapur rrugë minimit të punës së Prokurorisë së Posaçme, por mbi të gjitha nxjerrjes nga burgu të çdo të korruptuari të Edi Ramës që ndodhet sot në burg.

Prandaj dhe unë dua t'i bëj thirrje kryetarit të Gjykatës së Lartë, por dhe anëtarëve të Gjykatës së Lartë, të nderuar gjyqtarë, mos u përdorni politikisht. Mos u bëni pjesë e skenarit për të minuar punën e Prokurorisë së Posaçme dhe gjykatave të posaçme. Mos u përdorni politikisht për t'i dhënë zemër korrupsionit në këtë vend.

Korrupsioni ka mbajtur peng Shqipërinë për 35 vite. Dhe në momentin kur shikojmë që ka një punë të mirë të organeve të drejtësisë, në rastin konkret Prokurorisë së Posaçme apo Gjykatës së Posaçme, ju po bëheni pjesë e një plani të parapërgatitur politik, me në krye Edi Ramën, për të minuar luftën ndaj korrupsionit. Qëndroni në lartësinë e detyrës kushtetuese dhe mos u përdorni politikisht", tha Bardhi./Dosja.al

gazment bardhi

Sondazh

Poll