Aktualitet

Të shtënat me armë zjarri gjatë operacionit në Shkodër/ Zbardhet dinamika e ngjarjes, 2 persona në pranga! Ushtari i Licve i shpëton sërish policisë

Me anë të një reagimi zyrtar, policia bën me dije se në pranga janë vënë dy persona, drejtuesi, Ervis Baba dhe një 17-vjeçar, ndërsa në kërkim është shpallur Barush alias Bajram Bregu, i njohur ndryshe si krahu i djathtë i Ibrahim Licit.

10 Mars 2026, 09:43 Nga E. D
Të shtënat me armë zjarri gjatë operacionit në
Barush Bregu

SHKODËR- Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja e ndodhur të hënën në lagjen “Guerrile” në Shkodër, ku u qëllua me armë zjarri gjatë një operacioni policor për kapjen e një personi të kërkuar dhe me precedentë penalë. Me anë të një reagimi zyrtar, policia bën me dije se në pranga janë vënë dy persona, drejtuesi, Ervis Baba dhe një 17-vjeçar, ndërsa në kërkim është shpallur Barush alias Bajram Bregu, i njohur ndryshe si krahu i djathtë i Ibrahim Licit.

Barush Bregu ka qenë gjithashtu pasagjer në automjet, i cili ka qëlluar në ajër dhe më pas ka arritur të largohet. Policia ‘blindoi’ lagjen Kiras me kontrolle, por nuk është arritur të lokalizohet vendndodhja e tij. Barush Bregu është gjithashtu shpallur në kërkim 1 ditë pas vrasjes së dyfishtë të ndodhur në Shkodër më 8 shtator 2025, i dyshuar si personi që i siguroi armën autorit. Bregu njihet si një nga njerëzit kryesorë të vrasjeve për llogari të grupit Lici.

Njoftimi i Policisë: 

Shkodër/Zbardhen autorësia dhe rrethanat e rastit të pasdites së djeshme, në lagjen “Guerrile”, ku u kanosën me armë zjarri, punonjës të Policisë, gjatë ndjekjes së një automjeti. Arrestohen drejtuesi dhe pasagjeri (i mitur) në automjetin me të cilin lëvizte 40-vjeçari që qëlloi me armë zjarri, në ajër, për të kanosur punonjësit e Policisë.

Identifikohet dhe shpallet në kërkim 40-vjeçari, shtetas me precedent të theksuar për disa veprimtari kriminale. Gjendet dhe sekuestrohet arma e zjarrit (pistoletë) me municion, e përdorur në këtë rast. Si rezultat i veprimeve të shpejta operacionale dhe hetimore, të kryera per sqarimin e rrethanave dhe dokumentimin e autorësisë së rastit të datës 09.03.2026, kur rreth orës 15:10, në lagjen “Guerrile”, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ndaj Personit, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, dhe Komisariatin e Policise Shkoder zhvilluan operacionin e koduar “Risku”.

Në kuadër të këtij operacioni, u arrestuan në flagrancë shtetasi Ervis Baba 43 vjeç dhe një 17-vjeçar, të dy banues në lagjen “Guerrile”. Gjithashtu, u shpall në kërkim shtetasi B. B., 40 vjeç, banues në lagjen “Guerrile”, me precedent për armëmbajtje pa leje, prodhim/shitje narkotikësh dhe vjedhje.

Dje, gjatë patrullimit në këtë zonë, shërbimet e Policisë i kanë bërë shenjë ndalimi, automjetit që nga hetimet rezultoi se e drejtonte 43-vjeçari dhe kishte pasagjerë të miturin dhe shtetasin e shpallur në kërkim.
43-vjeçari nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të Policisë, por ka vijuar lëvizjen, duke shtuar shpejtësinë dhe kryer manovra të rrezikshme me automjet. Për këto arsye, shërbimet e Policisë i janë vënë në ndjekje automjetit.

Gjatë ndjekjes, shtetasi B. B. dyshohet se ka zbritur nga automjeti, dhe gjatë largimit, ka qëlluar me armë zjarri (pistoletë), ne ajer me qëllim kanosjen e punonjësve të Policisë. Arma e zjarrit me municion e dyshuar e përdorur nga shtetasi B. B., u gjet nga shërbimet e Policisë dhe u sekuestrua bashkë me automjetin tip “Volkswagen Seat” me të cilin leviznin këta shtetas. Punohet intensivisht për kapjen e shtetasit B. B.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Shkodrës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Kanosja”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë së rendit publik”, “Prishja e qetësisë publike”, “Prodhimi apo mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Moskallëzimi i krimit”.

Si ndodhi ngjarja? 

Rreth orës 15:10, shërbimet e Policisë, gjatë patrullimit në lagjen “Guerrile”, i kanë bërë shenjë ndalimi një automjeti me dy persona brenda për kryerjen e kontrolleve. Por, drejtuesi i automjetit nuk i është bindur urdhrit të policisë dhe ka shtuar shpejtësinë dhe ka kryer manovra të rrezikshme, duke detyruar efektivët ta ndjekin.

Gjatë ndjekjes, se pasagjeri i automjetit, Bajram Bregu, qëlloi një herë në ajër me armë zjarri dhe më pas u largua nga vendi i ngjarjes. Policia arriti të ndalojë drejtuesin e automjetit, ndërsa Bregu arriti tu shpëtonte prangave të policisë. Gjithashtu dhjetëra forca policie rrethuan zonën e Kirasit dhe zhvilluan kontrolle për disa orë me masa të rrepta sigurie, por pas disa orësh operacion, autoritetet janë tërhequr nga zona pa mundur të kapin personin e dyshuar.

Në momentin kur ka qëlluar efektivët e shërbimit kanë kërkuar forca mbështetëse për shkak se bëhej fjalë për një person i dyshuar me rrezikshmëri të lartë, por derisa kanë mbërritur trupa të tjerë të policisë, ka mjaftuar që Bajram Bregu të largohet në drejtim të paditur. Policia përveç forcave të shumta shtesë, përdori edhe dronin nga ajri për kontrollin e zonës por pa arritur që ta lokalizojë Bajram Bregun. Në banesën ku u mendua se fshihej për momentin, policia nuk e gjeti aty pavarësisht kontrolleve aty.

Kush është Barush Bregu që i shpëtoi dje policisë në Kiras

Barush Bregu, është një emër i njohur për drejtësinë. Bregu rezulton i shpallur në kërkim nga policia si personi që ka ndihmuar Ragip Gilën në atentatin e 8 shtatorit të vitit të kaluar, në atë që njihet si masakra e Shkodrës ku dy persona u vranë dhe dy të tjerë u plagosën.

Sipas hetimeve të atëhershme, Barush Bregu dhe një 17-vjeçar u shpallën në kërkim pasi i siguruan autorit Rakip Gila kushtet dhe mjetet materiale për të kryer vrasje. Gjithashtu banesën e një gruaje që jetonte jashtë vendit, Bregu dhe i mituri e përdornin si bazë për të fshehur armatimet.

39-vjeçari i njohur si krahu i djathtë i Licëve në Shkodër, la lidhje edhe me disa ngjarje të tjera të rënda. Ai është arrestuar më parë në maj të 2019 pas një operacioni të organizuar nga RENEA, ndërsa në 2016 ai u dënua me akuzën e drogës dhe armëmbajtjes pa leje./Dosja.al

barush bregu

Sondazh

Poll