Aktualitet

Përfitonte para nga veprimtari të paligjshme, arrestohet 67-vjeçari në Berat! I sekuestrohen 55 mijë euro, 2020 paund dhe 2000 dollarë

Policia ka sekuestruar shumën e parave, 1 automjet dhe 1 aparat cellular.

9 Mars 2026, 14:52 Nga E.d
Përfitonte para nga veprimtari të paligjshme, arrestohet
Foto ilustruse

BERAT- Policia ka arrestuar ditën e sotme një 67-vjeçar në Berat. Ai u arrestua nga forcat blu, pasi u kap me 55 mijë euro, 2020 paund dhe 2000 dollarë, shuma monetare që dyshohet se rrjedhin nga veprimtari të kundërligjshme.

Policia ka sekuestruar shumën e parave, 1 automjet dhe 1 aparat cellular. Mbi 67-vjeçarin, banues në Berat, rëndon akuza për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

“Si rezultat i një pune hetimore të kryer mbi bazën e informacioneve të siguruara, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare në DVP Berat finalizuan operacionin policor të koduar “Produkti”, në kuadër të të cilit u godit një rast i dyshuar në fushën e pastrimit të produkteve të veprës penale. Gjatë operacionit u arrestua në flagrancë shtetasi K. K., 67 vjeç, banues në Berat.

Nga kontrollet e ushtruara nga shërbimet e Policisë, në automjetin dhe në banesën e tij u gjetën dhe u sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, 54 890 euro, 2020 paund, 1850 dollarë dhe 2850 franga, shuma monetare që dyshohet se rrjedhin nga veprimtari të kundërligjshme, si dhe 1 automjet dhe 1 aparat cellular.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, thuhet në njoftimin e policisë./Dosja.al

berat policia para

Sondazh

Poll