Politike

GjKKO rrëzon kërkesën e Ilir Metës për masë më të butë sigurie

Sipas gjykatës, kërkesa u shpall e papranueshme për shkak se përfaqësuesit ligjorë të kërkuesit hoqën dorë nga shqyrtimi i saj gjatë procesit gjyqësor.

6 Mars 2026, 16:13 Nga E. D
GjKKO rrëzon kërkesën e Ilir Metës për masë
Ilir Meta

TIRANË- GJKKO ka rrëzuar kërkesën e Ilir Metës për zëvendësimin e masës së sigurimit “arrest në burg” me një masë më të butë. Meta ka paraqitur kërkesën në gjykatë më 2 mars 2026, ku ka kërkuar ndryshimin e masës së sigurisë personale me një tjetër më të lehtë, por trupi gjykues i përbërë nga gjyqtarja Irena Gjoka vendosi deklarimin e papranueshëm të kërkesës. Sipas gjykatës, kërkesa u shpall e papranueshme për shkak se përfaqësuesit ligjorë të kërkuesit hoqën dorë nga shqyrtimi i saj gjatë procesit gjyqësor.

NJOFTIM PËR MEDIAT

1. Kërkuesi Ilir Metaj me datë 02.03.2026 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Kërkesë për zëvendësimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg” me një masë më të butë sigurimi nga ato që parashikohen në Kodin e Procedurës Penale”.

2. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarja Irena Gjoka, bazuar në nenet 112 dhe 471, pika 5 të K.Pr.Penale, me vendimin nr. 200, datë 06.03.2026, vendosi:

1. Deklarimin e papranueshëm të kërkesës së paraqitur nga kërkuesi Ilir Metaj, regjistruar me nr. 200 regj.themeltar, datë 02.03.2026, me objekt: “Kërkesë për zëvendësimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg” me një masë më të butë sigurimi nga ato që parashikohen në Kodin e Procedurës Penale”, për shkak të heqjes dorë të përfaqësuesëve ligjorë të kërkuesit nga shqyrtimi i kësaj kërkese.

2. Shpenzimet gjyqësore siç janë kryer.

3. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim nga palët brenda pesë ditëve në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të këtij vendimi.

Ilir Meta u arrestua më 21 tetor 2024. Ai dhe deputetja Kryemadhi dyshohen se, duke bashkëpunuar mes tyre dhe me funskionarë të tjerë shtetërorë, në disa episode duke nisur nga 15 vite më parë kanë shfrytëzuar postet e tyre shtetërore dhe politike për të favorizuar kompani private, si dhe në veprimtari të tjera me lobime në SHBA dhe shitblerje banesash në këmbim të përfitimit të shumave të konsiderueshme parash, të cilat janë përpjekur t'i fshehin, duke mos i deklaruar në ILDKPI dhe KQZ.

Konkretisht, deputetja Kryemadhi po hetohej nga SPAK për tre akuza, pastrim parash, korrupsion dhe mosdeklarim të ardhurash. Gjykata la në fuqi më 23 tetor masën “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” ndaj Kryemadhit, për të njëjtat vepra penale, si dhe ndaj të hetuarës Ema Çoku, për pastrim parash.

Ndërkohë ndaj Piro Xhixhos, i hetuar për korrupsion pasiv, iu zëvëndësua masa e sigurisë nga “arrest në shtëpi” në “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”. Të tre të hetuarit nën masën e sigurimit “detyrim paraqitje” urdhërohen të paraqiten një herë në muaj në zyrat e Policisë Gjyqësore të SPAK./Dosja.al

ilir meta gjkko

Sondazh

Poll