Aktualitet

Autoriteti i Konkurrencës nis monitorimin e tregut të shitjes së bukës në qytetin e Korçës

Ky reagim vjen pas raportimeve në media se ndërmarrjet e prodhimit dhe shitjes së bukës kanë njoftuar pikat e shitjes për rritjen e çmimit nga 120 në 150 lekë, një rritje prej mbi 25%.

5 Mars 2026, 11:58 Nga E. D

Autoriteti i Konkurrencës nis monitorimin e tregut të shitjes së

KORÇË- Autoriteti i Konkurrencës ka ngritur një Grup Pune për të monitoruar tregun e prodhimit dhe shitjes së bukës në Korçë. Ky reagim vjen pas raportimeve në media se ndërmarrjet e prodhimit dhe shitjes së bukës kanë njoftuar pikat e shitjes për rritjen e çmimit nga 120 në 150 lekë, një rritje prej mbi 25%.

Në zbatim të ligjit 9121/2003 “për mbrojtjen e konkurrencës” Autoriteti në mënyrë të menjëhershme po realizon kontrolle në terren me qëllim evidentimin nëse ky njoftim do të zbatohet nga ndërmarrjet dhe, mbi të gjitha, nëse kjo sjellje është abuzive e si rrjedhim në shkelje të ligjit nr.9121/2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”.

Ligji nr. 9121/2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës” ndalon të gjitha marrëveshjet të cilat kanë si objekt ose si pasojë pengimin, kufizimin ose shtrembërimin e konkurrencës në treg, veçanërisht marrëveshjet që caktojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, çmimet e blerjes ose të shitjes, apo çdo kusht tjetër tregtimi.

Konkurrenca sjell në vëmendje të ndërmarrjeve të tregtimit të bukës se, shkelja e ligjit “Për mbrojtjen e konkurrencës” përbën kundërvajtje administrative dhe sanksionohet me gjobë, në masën deri në 10 për qind të xhiros së vitit financiar paraardhës të ndërmarrjeve të përfshira në marrëveshje të paligjshme.

Rritja e çmimit në Korçë, sipas operatorëve të tregut atje erdhi si rrjedhojë e bllokimit disa ditor të rrugës në juglindje për shkak të shembjes së aksit në Librazhd, që shtoi kostot. Tashmë rruga është e hapur normalisht, pas një zgjidhjeve provizione nga Autoriteti Rrugor.

autoriteti i konkurrencës

Sondazh

Poll