Sport

Klasikja Vllaznia-Tirana dhe sfida e teknikëve: Martini-Shehi, gjithçka është në ekuilibër!

Në këtë ekuilibër perfekt, këtë të premte do të shohim nëse ana e peshores do të anojë më në fund nga një prej trajnerëve, apo ekuilibri do të vijojë të mbretërojë…

26 Shkurt 2026, 15:38 Nga DOSJA

Klasikja Vllaznia-Tirana dhe sfida e teknikëve: Martini-Shehi,

TIRANE - Të premten në mbrëmje (19:00), në “Loro Boriçi”, do të luhet klasikja e tretë e këtij sezoni në futbollin shqiptar, Vllaznia-Tirana.

Skuadrat janë në pozicione diametrikisht të kundërta me shkodranët që janë në krye të klasifikimit, ndërsa Tirana është në vendin e parafundit, e megjithatë kjo sfidë ka qenë gjithnjë e rivalizuar pavarësisht diferencave në renditje.

Por kjo sfidë, kësaj here do të jetë edhe një sfidë tjetër mes trajnerëve, Edi Martini dhe Orges Shehi, ku ky i fundit do të nisë aventurën e tij të dytë me bardheblutë, pikërisht në këtë klasike me Vllazninë.

Statistikat e përballjeve mes këtyre dy trajnerëve flasin për një ekuilibër perfekt. Në total, Martini dhe Shehi që janë përballur mes tyre në pankinat e skuadrave të ndryshme: në 14 sfida mes tyre me 6 fitore për Martinin, 2 barazime dhe 6 fitore për Orges Shehin.

Më shpesh Shehi dhe Martini janë përballur kur trajneri shkodran ka qenë në stolin e Teutës dhe Shehi te Tirana, 9 herë.

Bilanci ka qenë perfekt, 4 fitore si për Martinin ashtu edhe për Shehin dhe 1 barazim, me 11 gola të shënuar nga Tirana dhe 9 nga Teuta.

Ekuilibri në përballjet Shehi-Martini ka qenë edhe kur trajneri aktuali i Tiranës ka qenë në pankinën e Partizanit, teksa në 2 ndeshje ndaj Teutës së Martinit, ku secila nga skuadrat ka marrë nga një fitore.

Po kështu Edi Martini dhe Orges Shehi janë përballur mes tyre edhe kur ky i fundit ka qenë në pankinën e Kukësit; 3 sfida janë regjistruar edhe këtu ekuilibër total, 1 fitore për Teutën, 1 për Kukësin dhe 1 ndeshje barazim.

Me pak fjalë, statistikat flasin për një rivalitet shumë të madh mes dy trajnerëve dhe një ekuilibër perfekt mbetet për t’u parë, nëse këtë të premte, ana e peshores do të anojë më në fund nga një prej trajnerëve apo ekuilibri do të vijojë të mbretërojë.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll