Politike

Kurti: Nga vitet ’90 deri më 1999 u godit fjala shqipe, por kujtesa mbijetoi në Kosovë

Në fjalën e tij, kryeministri tha se po mblidhen në një institucion që simbolizon dijen e të gjitha fushave dhe qëndrueshmërinë e identitetit tonë kombëtar.

16 Shkurt 2026, 21:27 Nga I.A
Kurti: Nga vitet ’90 deri më 1999 u godit fjala shqipe, por kujtesa
Albin Kurti

KOSOVË- Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në ceremoninë solemne të mbajtur për shënimin e Ditës së Pavarësisë, në ambientet e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës. Në fjalën e tij, kryeministri tha se po mblidhen në një institucion që simbolizon dijen e të gjitha fushave dhe qëndrueshmërinë e identitetit tonë kombëtar.

”Rruga drejt 17 shkurtit 2008 ishte e gjatë dhe e mundimshme. Ajo u ndërtua me sakrificë, me qëndresë dhe besim të palëkundur në të drejtën tonë për të jetuar në liri”, tha kryeministri Kurti.

Kurti shtoi se nga tetori i vitit 1990 deri në qershor të vitit 1999, kjo vatër e dijes u përball me masa të dhunshme, me spastrim të koleksioneve, me politika të njëanshme të pasurimit dhe me përjashtimin e librit shqip nga fondet e saj.

“Gjatë viteve të fundit, Biblioteka Kombëtare e Kosovës ka ndërmarrë një transformim të rëndësishëm, duke ndërthurur trashëgiminë e saj të pasur me standardet e epokës digjitale. Me përkrahjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe përkushtimin profesional të stafit, procesi i digjitalizimit është shndërruar në bosht të modernizimit institucional. Me një kapacitet prej rreth 15 mijë faqesh në ditë, po bëhet ngritja e kapaciteteve dhe orientimi drejt praktikave bashkëkohore evropiane,” tha Kurti.

Në fund të fjalës së tij, kryeministri Kurti falënderoi të gjithë ata që kontribuojnë në ruajtjen e kujtesës kolektive, pasi një shtet që ruan kujtesën, ndërton me siguri të ardhmen.

“Kjo është Kosova që po ndërtojmë: një shtet që e nderon historinë, që e ruan trashëgiminë dhe që investon në dije si garanci e së ardhmes”, tha Kurti./Dosja.al

albin kurti

Sondazh

Poll