Politike

Ndryshimet në nenin 242 në Kodin e Procedurës Penale, cilat janë propozimet kryesore

Sipas propozimeve, pezullimi i një ministri në fazë paraprake konsıderohet i pajustifikueshëm, sepse nuk prek vetëm individin nën hetim, por dëmton funksionin institucional.

16 Shkurt 2026, 11:13 Nga DOSJA

Ndryshimet në nenin 242 në Kodin e Procedurës Penale, cilat

TIRANË- Kryeministri Edi Rama këtë të hënë gjatë fjalës së tij në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PS-së sqaroi se ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale synojnë të qartësojë kufijtë e masës së pezullimit të detyrës për funksione të larta shtetërore.

Rama theksoi se pezullimi i një ministri cenon funksionin dhe jo individin, ndërsa ndryshimet e propozuara nuk prekin pavarësinë e pushtetit gjyqësor dhe mbrojnë autonominë vendimmarrëse të pushtetit ekzekutiv. Sipas propozimeve, pezullimi i një ministri në fazë paraprake konsıderohet i pajustifikueshëm, sepse nuk prek vetëm individin nën hetim, por dëmton funksionin institucional.

Më tej theksohet se pezullimi i një ministri nënkupton bllokim të punës së institucionit, jo thjesht mungesë personale në detyrë. Sipas propozimit, nisma ligjore synon të mbylle boshllëqet e interpretimit kushtetues me përcaktime të qarta “funksion për funksion”.

Më tej theksohet se aktualisht, neni përjashton “personat e zgjedhur sipas ligjit elektoral”. Me ndryshimet e propozuara, këtij rrethi do t’i shtohen: Presidenti i Republikës, Avokati i Popullit, Kryeministri, Zëvendëskryeministri, Ministrat, Anëtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe Kryetari i Kontrollit të Larte të Shtetit.

Ndryshimi i propozuar paraqitet si parimor dhe jo i lidhur me një rast konkret. Shumica paralajmëron reagim institucional për të kundërshtuar pezullimet që i konsideron ndërhyrje ne pushtetin ekzekutiv. Më tej theksohet se mbështetet drejtësia e pavarur. Sipas propozimeve, ndryshimet synojnë adresimin e një mangësie në përcaktimet e nenit 242 te Kodit të Procedurës Penale.

KODI I PROCEDURËS PENALE, NENI 242

Si është: Me vendimin që disponon pezullimin e ushtrimit të një detyre a shërbimi publik, gjykata i ndalon përkohësisht të pandehurit, plotësisht ose pjesërisht, veprimtarinë që lidhet me to. Kjo masë nuk zbatohet ndaj personave të zgjedhur sipas ligjit elektoral.

Si do të bëhet: Me vendimin që disponon pezullimin e ushtrimit të një detyre a shërbimi publik, gjykata i ndalon përkohësisht të pandehurit, plotësisht ose pjesërisht, veprimtarinë që lidhet me to. Kjo masë nuk zbatohet ndaj personave të zgjedhur sipas ligjit elektoral përfshi, Presidentin e Republikës, Kryeministrin, zv.kryeministri, Anëtarët e Kabinetit Qeverisës, Avokatin e Popullit, Kreun e KLSH-së, anëtarët e Gjykatës Kushtetuese./Dosja.al

edi rama

Sondazh

Poll