Politike

Pas rezultateve të dobëta të PISA-s, nis përmirësimi i programeve shkollore, Kumbaro: Ndërhyrja në tekstet shkollore është domosdoshmëri

Ajo u shpreh se ky veprim u mor në bazë të analizave të brendshme dhe përvojave të vendeve europiane, me synim ndërtimin e një kurrikule moderne dhe të krahasueshme ndërkombëtarisht.

16 Shkurt 2026, 18:06 Nga E.d
Pas rezultateve të dobëta të PISA-s, nis
Foto ilustruse

TIRANË- Në programet dhe tekstet shkollore të vendit ka nisur permirësimi. Ky veprim ka ardhur pas shpalljes së rezultateve në testimet ndërkombëtare të PISA-s  dhe TIMSS, të cilat nxorrën rezultate të dobëta. Gjatë debateve në seancë dëgjimore në Komisionin e Edukimit, Ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro tha se ndërhyrja në tekstet shkollore është domosdoshmëri.

Ajo u shpreh se ky veprim u mor në bazë të analizave të brendshme dhe përvojave të vendeve europiane, me synim ndërtimin e një kurrikule moderne dhe të krahasueshme ndërkombëtarisht. Kumbaro theksoi në këtë proces janë përfshirë rreth 200 profesionistë të arsimit. 

Katër tekste pritet të jenë plotësisht të reja, Qytetaria për klasën e parë, të 6 dhe të 10, si edhe Gjuha për klasën e dhjetë. Seanca dëgjimore u shoqërua me debate nga deputetët e opozitës të cilët kërkonin transparencë për procesin e rishikimit të teksteve.

“Kurrikula kishte nevojë për ndërhyrje që të reflektonte nevojat e reja të tregut të punës, të shoqërisë së dijes dhe të qytetarisë globale. Gjithashtu rishikimi dhe përditësimi i saj u ndërmor edhe mbi bazën e vlerësimeve kombëtare dhe ndërkombëtare siç janë PISA, TIMSS apo PIRLS, analizave të brendshme dhe përvojave të vendeve europiane, me synim ndërtimin e një kurrikule moderne dhe të krahasueshme ndërkombëtarisht.

Për klasat 1, 6, 10 përditësimi i programeve lëndore ka ndodhur në vitin 2025, përditësimi i teksteve po ndodh aktualisht dhe zbatimi i kurrikulës së re do të nisë në shtator të vitit 2026. E njëjta logjikë dhe proces do të ndiqet për klasat 2, 7, 11, me kurrikulën e re që do të zbatohet në shtator 2027 për klasat 3, 8, 12 në shtator të vitit 2028. Dhe për t’u përmbyllur me klasat 4, 5, 9 me zbatimin e kurrikulës së re duke filluar nga shtatori 2029. Përgatitja e listës së teksteve shkollore për përditësim, sipas klasave dhe lëndëve, bazuar në katalogun zyrtar të teksteve shkollore për klasat 1,  6  dhe  10 përfshin 171 tekste shkollore: 140 tekste fizike dhe 31 tekste digjitale', tha Kumbaro./Dosja.al

pisa timss mirela kumbaro

Sondazh

Poll