Aktualitet

Rrëshqitja e dherave bllokon rrugën Maliq–Lozhan–Strelcë, kufizohet qarkullimi

Problemi u shfaq pasditen e së dielës në kilometrin e 13-të, pranë urës së Qenckës, ku shembja e dherave shkatërroi barrierat mbrojtëse dhe i hodhi ato mbi rrugë. Kjo situatë ka krijuar rrezik të lartë për drejtuesit e mjeteve që kalojnë në këtë zonë.

16 Shkurt 2026, 12:48 Nga D.S
Rrëshqitja e dherave bllokon rrugën
Maliq-Lozhan-Strelcë

MALIQ- Një rrëshqitje masive dheu ka paralizuar pjesërisht aksin rrugor Maliq-Lozhan-Strelcë, duke detyruar lëvizjen e mjeteve në vetëm një sens. Problemi u shfaq pasditen e së dielës në kilometrin e 13-të, pranë urës së Qenckës, ku shembja e dherave shkatërroi barrierat mbrojtëse dhe i hodhi ato mbi rrugë. Kjo situatë ka krijuar rrezik të lartë për drejtuesit e mjeteve që kalojnë në këtë zonë.

Aktualisht, ekipet e ndërhyrjes ndodhen në terren për të pastruar materialet inerte dhe për të stabilizuar segmentin e dëmtuar. Puna po vijon intensivisht për të shmangur bllokimin total të kësaj rruge, e cila shërben si një arterie e rëndësishme për banorët e zonës.

Lidhur me këtë aks, projekti u prezantua si një investim strategjik prej 1.4 miliardë lekësh për lidhjen e Maliqit me Gramshin megjithatë, kjo është hera e dytë që shfaqen defekte të rënda. Përsëritja e këtyre problemeve në një segment të sapo rikonstruktuar ka nxitur debate mbi cilësinë e punimeve të financuara nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, duke vënë në dyshim qëndrueshmërinë e këtij aksi 18.8 kilometra të gjatë./Dosja.al

maliq lozhan strelce korce rrëshqitja e dherave bllokon rrugën maliq

Sondazh

Poll