Politike

“Me 20 shkurt, të shpëtojmë vendin nga narko-regjimi”/ Berisha: Rama po kërkon mburojë ligjore për veten! 

Lideri demokrat foli edhe për protestën kombëtare të opozitës, e cila do të mbahet më 20 shkurt.

15 Shkurt 2026, 13:15 Nga E.d
“Me 20 shkurt, të shpëtojmë vendin nga
Sali Berisha

TIRANA- Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka reaguar lidhur me deklaratën e kryeministrit Edi Rama, i cili tha se do të ndërmarrë një nismë ligjore lidhur me pezullimin nga detyra të ministrave në rast kur janë në hetim. Përmes një videomesazhi të publikuar në rrjetin social Facebook, Berisha u shpreh se Rama kërkon të krijojë një mburojë ligjore.

Lideri demokrat foli edhe për protestën kombëtare të opozitës, e cila do të mbahet më 20 shkurt. Në lidhje me këtë, ai tha se 20 shkurti është dita në të cilën idealet e shqiptarëve do të mbushin rrugët dhe sheshet e Tiranës për të shpëtuar Shqipërinë nga regjimi i drogës, krimit dhe vjedhjes së shqiptarëve.

Reagimi i plotë:

Mirëdita!
Sot, në monologun e tij të mashtrimit, Edi Rama lëshoi gënjeshtrën e radhës. Ai u tha qytetarëve se paska funksione të padelegueshme. I tmerruar nga ultimatumi i Brukselit, nga anulimi i të gjitha takimeve që kishte në Mynih, ai përsëri, njëlloj si i mbyturi, kapet me fijen e barit. Po bën përpjekjen e fundit për të krijuar një mburojë ligjore ndaj vetes së tij. Cilido që dëgjoi Edi Ramën të flasë për funksione të padelegueshme, për të kuptuar se ai gënjeu, jo njëherë, por gënjeu qindra herë vetëm për funksionin e kryeministrit.
Çka dua të them me këtë?

Në arkivin e Këshillit të Ministrave, janë jo me dhjetëra, por me qindra vendime të firmosura me autorizimin e tij nga zëvendës-ministrat përkatës, sipas kohës. Por, përveç kësaj, ky është një përcaktim ligjor, i cili e lejon kryeministrin të autorizojë zëvendësin e tij për të firmosur. Së dyti, vetë Kushtetuta ka parashikuar zëvendësimin, delegimin. Në rast se presidenti i Republikës fluturon, shkon jashtë vendit, zëvendësi i tij është kryetari i parlamentit, me Kushtetutë. Në rast se ministri nuk është, me autorizim të tij zëvendësohet nga zëvendësministri, i cili firmos për ministrin. Pra, çfarë do të shohim ne nesër? Do të shohim një akt që s’e kemi parë kurrë ndonjëherë dhe nuk e kemi dëgjuar ndonjëherë.

Deputeti Edi Rama paraqet në parlament amendamentin për të mbrojtur nga pezullimi, nga gjykatës apo kur e kapin në krim kryeministrin, Edi Rama. Kërkon pra, të krijojë një mburojë ligjore. Me këtë rast, i tmerruar dhe nga protesta, ai përdori fjalët fyese, poshtëruese për njerëzit e idealeve më të larta, për misionarët e vërtetë. Sipas tij, ata janë rrugeçër, janë mercenarë, janë njerëz të paguar. Unë i them Edi Ramës se, ata janë misionarët e shpëtimit të Shqipërisë. Dhe se, 20 shkurti është dita në të cilën idealet më fisnikëve të shqiptarëve, misionarët e këtij vendi, do të mbushin rrugët dhe sheshet e Tiranës për të shpëtuar Shqipërinë nga regjimi i drogës, krimit dhe vjedhjes së shqiptarëve, për të shpëtuar Shqipërinë nga narko-diktatori, Edi Rama./Dosja.al

sali berisha pd edi rama

Sondazh

Poll