Politike

"Falënderoj heronjtë e kësaj proteste..."/ Zbardhet mesazhi i Berishës për drejtuesit politikë: Bëhuni gati për 20 Shkurtin historik

Lideri i opozitës shpreh mirënjohjen për çdo anëtar dhe mbështetës të Partisë Demokratike që mori pjesë në protestë dhe falenderon veçanërisht pjesëtarët që u arrestuan gjatë tubimit. Në fund, Berisha u bënë thirrje që të punojnë me përkushtimin më të lartë për tubimin e 20 shkurtit. 

11 Shkurt 2026, 20:16 Nga E. D
"Falënderoj heronjtë e kësaj proteste..."/ Zbardhet
Sali Berisha

TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha i ka dërguar një mesazh drejtuesve politikë, anëtarëve të Kryesisë, kryetarëve të degëve, deputetëve dhe kryetarëve të bashkive, një ditë pas protestës së 10 shkurtit. Me anë të mesazhit, Berisha i ka falenderuar për angazhimin dhe pjesëmarrjen e tyre në organizimin dhe zhvillimin e asaj që ai e cilëson si “Kryengritje Paqësore”.

Lideri i opozitës shpreh mirënjohjen për çdo anëtar dhe mbështetës të Partisë Demokratike që mori pjesë në protestë dhe falenderon veçanërisht pjesëtarët që u arrestuan gjatë tubimit. Në fund, Berisha u bënë thirrje që të punojnë me përkushtimin më të lartë për tubimin e 20 shkurtit. 

MESAZHI:

Mesazh drejtuar: Drejtuesve politikë të qarqeve, anëtarëve të Kryesisë së PD, kryetarëve të degëve, deputetëve të Partisë Demokratike dhe kryetarëve të Bashkive. Të nderuar miq, Përmes këtij mesazhi, dëshiroj t’ju falënderoj nga zemra secilin prej jush për ndihmën tuaj të çmuar në suksesin e organizimit dhe zhvillimit të Kryengritjes Paqësore të 10 shkurtit 2026.

Me mirënjohje të thellë falënderoj çdo anëtar dhe mbështetës të Partisë Demokratike, i cili me praninë e tij dje ne revolte tronditi deri në palcë ngrehinën e kalbur të “Rilindjes” organizatën kriminale të Edi Ramës, duke shënuar një arritje historike në rrugën tonë drejt fitores.

Në mënyrë të veçantë, falënderoj heronjtë e kësaj proteste, të cilët me guxim përmbushën detyrën e tyre dhe u burgosën nga regjimi si kundërshtarë politikë.
Pas 20 shkurtit 1991, data 10 shkurt 2026 mbetet dita e kryengritjes më të fuqishme popullore në 35 vitet e fundit. Pjesëmarrja masive, qëndresa, energjia, guximi dhe vendosmëria e qytetarëve ishin vërtet epike.

Tashmë na ndajnë vetëm pak ditë nga 20 shkurti — dita kur 35 vite më parë, në një betejë legjendare, përmbysëm kultin e Enver Hoxhës, diktatorit më gjakatar të kombit tonë. Kjo datë është per ne burim frymëzimi dhe krenarie. Ndaj, me forca të shumëfishuara, le të punojmë me përkushtimin më të lartë për suksesin tonë të merituar më 20 shkurt.

Ju bëj thirrje të përqendrohemi me përparësi të veçantë te elektrizimi i rinisë, vajzave dhe grave në misionin tonë për shpëtimin e Shqipërisë, si kusht përcaktues për fitoren tonë finale! Urimet më të përzemërta, Fitore! Miqësisht, Sali Berisha./Dosja.al

sali berisha

Sondazh

Poll