Politike

"Saga e çuditshme"! Gazeta franceze: Diella e Ramës do mbetet pa fytyrë

Gazeta franceze shkruan se, Anila Bisha kishte nënshkruar me qeverinë një kontratë që i lejonte këtij të fundit të përdorte imazhin e saj për të përfaqësuar asistenten virtuale të portalit online E-Albania.

11 Shkurt 2026, 19:37 Nga E. D
"Saga e çuditshme"! Gazeta franceze: Diella e Ramës do
Diella

TIRANË- Gazeta franceze, LIBERATION i ka kushtuar një artikull "Diellës", pasi aktorja Anila Bisha, fytyra e së cilës u përdor për “ministren e inteligjencës artificiale”, ka ndërmearrë veprime ligjore. Në artikull theksohet se, Anila Bisha po i bën thirrje qeverisë të pezullojë shfrytëzimin e identitetit dhe të dhënave të saj personale.

Më tej, gazeta franceze shkruan se, Bisha kishte nënshkruar me qeverinë një kontratë që i lejonte këtij të fundit të përdorte imazhin e saj për të përfaqësuar asistenten virtuale të portalit online E-Albania.

LIBERATION ka vënë në dukje gjithashtu se Diella u prezantua nga qeveria si një mënyrë për të eliminuar korrupsionin, por së fundmi drejtues të agjencisë qeveritare, që krijuan Diellën, janë nën hetim për manipulimin e prokurimeve publike në vend.

Artikulli i LIBERATION:

Vazhdon saga e çuditshme e ministres shqiptare të krijuar nga inteligjenca artificiale. Aktorja, fytyra e së cilës u përdor për të personifikuar Diellën, këtë IA të emëruar ministre e Prokurimeve Publike në vitin 2025, njoftoi të mërkurën më 11 shkurt se i është drejtuar Gjykatës Administrative për të kërkuar pezullimin e përdorimit të imazhit të saj.

Anila Bisha, shumë e njohur në Shqipëri, kishte nënshkruar me qeverinë një kontratë që i lejonte këtij të fundit të përdorte imazhin e saj për të përfaqësuar asistenten virtuale të portalit online E-Albania, që i mundëson qytetarëve të kryejnë një sërë shërbimesh online.

Por, kur në shtator, kryeministri Edi Rama njoftoi emërimin e një ministreje të krijuar nga inteligjenca artificiale dhe e ngarkuar me prokurimet publike, u përdor fytyra e Anila Bishës. Kjo, sipas aktores 57-vjeçare, përbën “shfrytëzim të identitetit dhe të të dhënave personale”: “Nuk kam nënshkruar asnjë kontratë tjetër, vetëm një kontratë disa mujore [deri më 31 dhjetor 2025, shënim i redaksisë] për përdorimin e imazhit tim brenda shërbimeve që ofron E-Albania për qytetarët, aspak për Diellën ministre”.

Akuzat për korrupsion

Anila Bisha pohon se Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, që zhvilloi IA-në e Diellës, ka depozituar një patentë mbi imazhin dhe zërin e saj pa e njoftuar, gjë që sipas saj “është e paligjshme” dhe e pengon të punojë. Ajo sqaron se nuk kishte reaguar më parë sepse shpresonte për një zgjidhje paqësore, por mesazhet e saj drejtuar autoriteteve kanë mbetur pa përgjigje, prandaj vendosi të drejtohet në gjyq.

Diella, që në shqip do të thotë “diell”, është e ngarkuar me të gjitha vendimet lidhur me thirrjet për prokurime publike – emërimi i saj u prezantua si një mënyrë për të eliminuar korrupsionin, për të cilin janë akuzuar disa politikanë shqiptarë, si në mazhorancë ashtu edhe në opozitë, si dhe drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit.

Por drejtues të agjencisë qeveritare, që krijuan Diellën, janë nën hetim për lidhje të supozuara me një organizatë kriminale që akuzohet për manipulimin e prokurimeve publike në vend./Dosja.al

diella

Sondazh

Poll