Aktualitet

EMRAT/ Sekuestrohen pasuri me vlerë 200 mijë euro të 2 personave të dënuar për drogë në Tiranë

Pasuritë e vendosura nën sekuestro janë një apartament në Selitë dhe një garazh në Selitë të Vogël, me vlerë totale rreth 200 mijë euro.

10 Shkurt 2026, 13:20 Nga DOSJA

EMRAT/ Sekuestrohen pasuri me vlerë 200 mijë euro të 2 personave

TIRANË- Janë sekuestruar pasuri me vlerë rreth 200 mijë euro në pronësi të dy shtetasve të dënuar për trafikim të lëndëve narkotike. Pasuritë e vendosura nën sekuestro janë një apartament në Selitë dhe një garazh në Selitë të Vogël, me vlerë totale rreth 200 mijë euro.

Ato rezultojnë në pronësi përkatësisht të shtetasit Pajtim Braçaj, 63 vjeç, i dënuar në Shqipëri për trafik droge, dhe të shtetasit Gjino (Shkëlqim) Lleshaj, 44 vjeç, i dënuar në Itali për trafikim të lëndëve narkotike.

Njoftimi i Policisë:

Sekuestrohen pasuri me vlerë 200 000 euro, në pronësi të 2 shtetasve të dënuar për trafikim të lëndëve narkotike.

Në vijim të hetimeve intensive, të kryera nga Seksioni për Hetimin e Pastrimit të Parave dhe Aseteve Kriminale në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë dhe Prokuroria e Tiranës, me objektiv gjurmimin dhe sekuestrimin e pasurive/pronave, produkte të veprimtarive kriminale brenda dhe jashtë vendit, u finalizua operacioni i koduar “Burimi”.

Në kuadër të këtij operacioni u ekzekutua vendimi i Gjykatës së Tiranës, për vënien e sekuestros preventive mbi 1 apartament në Selitë dhe 1 garazh në Selitë të Vogël, me vlerë totale rreth 200 000 euro, në pronësi përkatësisht të shtetasit P. B., 63 vjeç, i dënuar në Shqipëri për trafikim të lëndëve narkotike, dhe të shtetasit Gj. Ll. alias Sh. Ll., 44 vjeç i dënuar në Itali, për trafikim të lëndëve narkotike.

Pajtim Braçaj ishte një nga 7 personat e arrestuar pas zbulimit të laboratorit të drogës më 17 tetor 2015 në zonën e ish-Kënetës në Durrës dhe sekuestrimit të 700 kg kanabis. Braçaj dyshohej se transportonte drogë nga Kruja deri tek laboratori në Durrës. Policia e Durrësit zbuloi laboratorin në një aksion të përbashkët me Policinë e Tiranës, Shkodrës dhe ish-Prokurorinë e Krimeve të Rënda në kuadër të operacionit policor të koduar "Koordinata". Vlera e kanabisit mund të kapte vlerën e 1 milione eurove./Dosja.al

pajtim braçaj gjino lleshaj

Sondazh

Poll