Politike

KQZ çertifikon rezultatet e zgjedhjeve të 28 dhjetorit në Kosovë, hapet rruga për seancën konstituive

Certifikimi u bë me 11 vota ku VV ka fituar 51.10 për qind të votave.

9 Shkurt 2026, 20:59 Nga E.d
KQZ çertifikon rezultatet e zgjedhjeve të 28 dhjetorit
Foto ilustruse

KOSOVA- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar rezultatet e zgjedhjeve parlamentare  të 28 dhjetorit në Kosovë, 43 ditë pas mbajtjes së tyre. Certifikimi u bë me 11 vota ku VV ka fituar 51.10 për qind të votave, duke siguruar 57 ulëse në Kuvendin e Kosovës.

Ndërkohë, PDK ka marrë 20.19 për qind të votave, të cilat përkthehen në 22 vende. LDK ka marrë 13.24 për qind, ose ndryshe 15 vende, ndërsa AAK 5.50 për qind, ose 6 vende në Kuvend.

Certifikimi i zgjedhjeve u vonua pasi KQZ mori vendim për rinumërim total të votave, pas dyshimeve për manipulim. Qindra komisionerë u arrestuan nën dyshimin për manipulimin e votave. Shtatë Prokuroritë Themelore të Kosovës kanë autorizuar Policinë për hetimin e tyre.

Hapi i radhës tani është thirrja e seancës konstituive. Seanca duhet të mbahet brenda 30 ditësh dhe duhet të thirret nga Presidentja Vjosa Osmani, por në rast se ajo nuk e thërret seancën, Kuvendi mblidhet vetë në ditën e 30’të.

Përgatitja për seancën konstituive është përgjegjësi e kryetarit të legjislaturës paraprake, në këtë rast Dimal Bashës. Ai duhet të zhvillojë një takim të përbashkët me krerët e subjekteve politike parlamentare, jo më vonë se pesë ditë para seancës, për të përgatitur rendin e ditës dhe për të caktuar vendet e deputetëve në Kuvendin e ri.

Rregullorja përcakton se seanca konstituive ka katër pika të rendit të ditës: formimin e Komisionit të Përkohshëm për Verifikimin e Kuorumit dhe të Mandateve, betimin e deputetëve, zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe atë të nënkryetarëve./Dosja.al

pdk ldk vv

Sondazh

Poll