Aktualitet

Donte të ngushtonte stomakun në një klinikë në Tiranë/ Ndërron jetë sipërmarrësi italian, Prokuroria italiane heton kirurgun dhe dietologen

Siç raportojnë mediat italiane, 54-vjeçari Massimo Ferro fillimisht kishte kontaktuar një klinikë në Milano, ku i propozuan një udhëtim për në Tiranë, për të kryer ndërhyrjen me një të tretën e çmimit që do të duhej të paguante në Itali.

7 Shkurt 2026, 14:30 Nga E. D

Donte të ngushtonte stomakun në një klinikë në

TIRANË- Një sipërmarrës italian 54-vjeçar nga Camposampiero humbi jetën në muajin dhjetor në Tiranë, pas një ndërhyrjeje për ngushtimin e stomakut në “Trita Hospital”. Siç raportojnë mediat italiane, 54-vjeçari Massimo Ferro fillimisht kishte kontaktuar një klinikë në Milano, ku i propozuan një udhëtim për në Tiranë, për të kryer ndërhyrjen me një të tretën e çmimit që do të duhej të paguante në Itali.

Pas ndërhyrjes në klinikën private “Trita Hospital” në Tiranë, 54-vjeçari shfaqi probleme shëndetësore dhe u dërgua në Qendrën Spitalore Universitare, ku ndërroi jetë më 22 dhjetor. Për të hedhur dritë mbi ngjarjen, prokurori i Padovës, Andrea Girlando, mori si të dyshuar kirurgun Andrea Formiga, i cili punon për “Trita Hospital”, dhe dietologen Alessandra Freda, të dy nga Lombardia.

Më pas, hetimet zbuluan se në muajin dhjetor 54-vjeçari Massimo Ferro kishte kontaktuar me kirurgun përmes WhatsApp, ku ishin dhënë informacionet, kostot dhe udhëzimet logjistike. Çmimi i operacionit në Tiranë ishte 4 400 euro, shumë më i ulët krahasuar me rreth 15 mijë eurot që kërkoheshin në Itali.

Sipas denoncimit të familjarëve të viktimës, asnjë nga procedurat e parashikuara nga udhëzimet italiane dhe ndërkombëtare për kirurgjinë e obezitetit nuk ishte respektuar: nuk kishte trajnim dietik paraprak, as vlerësim multidisiplinar, as përgatitje specifike para operacionit. I vetmi udhëzim ishte që natën para operacionit të mos konsumonte asgjë.

Pavarësisht se 54-vjeçari ishte me diabet tip 2 dhe peshonte 108 kilogramë, testet para-operatore u kryen vetëm një ditë para ndërhyrjes në Tiranë. Kirurgu italian Andrea Formiga, i cili operoi sipërmarrësin 54-vjeçar, bashkëpunon me Qendrën Shëndetësore “Trita Hospital” në Shqipëri prej disa vitesh. Gjithashtu në një video të publikuar në faqen zyrtare të Trita Hospital, shkruhet se “Pacientët e quajnë doktori i mrekullive”./Dosja.al

Sondazh

Poll