Aktualitet

“Një shërbetore pa dinjitet”/ Auron Tare reagon pas arrestimit të Arta Dollanit: Nga një ish-punonjëse sporteli në Bashkinë e Tiranës, u shndërrua në firmëtaren e bindur të çdo vendimi që i kërkohej

Sipas tij nga një figurë e cila nuk konsiderohej nga askush, Dollani u shndërrua në firmëtaren e prishjes së vilave historike në funksion të pallateve.

4 Shkurt 2026, 17:38 Nga E.d
“Një shërbetore pa dinjitet”/ Auron Tare reagon pas
Foto ilustruse

TIRANË- Historiani dhe studiuesi Auron Tare ka reaguar pas arrestimit të Arta Dollani në lidhje me skandalin e mbetjeve të rrezikshme. Përmes një postimi në rrjetet socilale, Tare u shpreh se Dollani nuk është një emër i panjohur për ata që njohin fushën e Trashëgimisë Kulturore.

Ai shkruan se nga një ish punonjëse sporteli në Bashkinë e Tiranës, Dollani u përpoq të siguronte një vend pune në administratën e re. Sipas tij nga një figurë e cila nuk konsiderohej nga askush, Dollani u shndërrua në firmëtaren e prishjes së vilave historike në funksion të pallateve.

Këtu Tare përmend prishjen e Teatrit Kombëtar, heqjen e monumenteve nga lista e mbrojtjes etj. Historiani shkruan se për “besnikërinë” e treguar, ajo udhëtoi pas ministres Kumbaro në çdo ministri. Tare u shprehe se në pozicionin e Drejtoreshës së Mjedisit, Dollani firmosi leje, licenca dhe vendime që favorizonin shkatërrimin e mjedisit. 

Reagimi i plotë 

“Një shërbetore pa dinjitet”

Sa e turpshme, kur të arrestojnë, nuk të arrestojnë as me emrin tënd, por me emrin e atyre që të kanë përdorur.

Këto fjalë më erdhën në mendje sot në mëngjes, ndërsa në telefon më mbërritën disa mesazhe me titullin: “Arrestohet drejtoresha e Mirela Kumbaros”. Një titull që u shfaq për pak në mediat kryesore dhe më pas u hoq me shpejtësi., sikur dikush të kishte dhënë urdhër që emri i bashkëpunëtores më të afërt të ministres të fshihej nga çdo titull. Në fakt, zonja e arrestuar nuk është një emër i panjohur për ata që njohin fushën e Trashëgimisë Kulturore. Në vitin 2014, nga një ish punonjëse sporteli në Bashkinë e Tiranës, pa ndonjë profil profesional apo kualifikim të spikatur, u përpoq të siguronte një vend pune në administratën e re.

Nuk u konsiderua nga askush deri sa papritur, u katapultua nga ministrja e atëhershme e Kulturës në një nga postet më të rëndësishme për kulturën kombëtare: Drejtoreshë e Institutit të Monumenteve të Kulturës. Në këtë detyrë, ajo u shndërrua në firmëtaren e bindur të çdo vendimi që i kërkohej, leje për prishjen e vilave historike në funksion të pallateve, për rrafshimin e Teatrit Kombëtar duke e shpallur “pa vlerë”, për ndërtimin e një kafeje në Akropolin e Butrintit, për heqjen e monumenteve nga lista e mbrojtjes dhe për shumë vendime të tjera që kanë dëmtuar rëndë zinxhirin e trashëgimisë kulturore. Me zellin e një shërbyeseje pa personalitet institucional, firmoste çdo kërkesë që i vinte, duke u kujdesur njëkohësisht edhe për përfitimet e veta.

Për “besnikërinë” e treguar, ajo udhëtoi pas ministres Kumbaro në çdo ministri ku kjo e fundit u emërua, kësaj here si Drejtoreshë e Mjedisit, duke firmosur leje, licenca dhe vendime që favorizonin shkatërrimin e mjedisit. Asnjëherë nuk u njoh si një administratore në shërbim të komunitetit, të taksapaguesve, të trashëgimisë kulturore apo të mjedisit, detyra që i ishin besuar në emër të interesit publik. E përfolur për përfshirje aktive në shkatërrimin e trashëgimisë kulturore, për vendime të dëmshme ndaj mjedisit, e hetuar për një projekt të BE-së mbi monitorimin e cilësisë së ajrit, sot ajo ndodhet e arrestuar për fshehjen e mbetjeve të rrezikshme./Dosja.al

auron tare arta dollani mirela kumbaro

Sondazh

Poll