Politike

Ankimi i Metës në Kushtetuese, caktohet data për shqyrtimin e masës së arrestit

Meta ka paraqitur ankimimin në Gjykatën Kushtetuese, duke kundërshtuar vendimin e GJKKO-së që e mbajti atë në burg.

4 Shkurt 2026, 17:38 Nga DOSJA
Ankimi i Metës në Kushtetuese, caktohet data për shqyrtimin e
ilir meta

TIRANË- Gjykata Kushtetuese ka caktuar datën 8 prill, ora 11:00, për shqyrtimin e ankimit të Kreut të PL-së Ilir Meta, kundër masave të sigurisë "arrest në burg". Meta ka paraqitur ankimimin në Gjykatën Kushtetuese, duke kundërshtuar vendimin e GJKKO-së që e mbajti atë në burg.

Kjo masë u mor në kuadër të hetimeve për akuza të ndryshme, duke përfshirë korrupsion dhe shpërdorim detyre, teksa ish-presidenti ndodhet në burg prej 21 tetorit 2024. Shqyrtimi në Kushtetuese do të fokusohet tek pretendimet e mbrojtjes së Metës se arrestimi dhe ndalimi i tij në burg është i padrejtë dhe shkel të drejtat kushtetuese.

Ilir Meta u arrestua më 21 tetor 2024. Ai dhe deputetja Kryemadhi dyshohen se, duke bashkëpunuar mes tyre dhe me funskionarë të tjerë shtetërorë, në disa episode duke nisur nga 15 vite më parë kanë shfrytëzuar postet e tyre shtetërore dhe politike për të favorizuar kompani private, si dhe në veprimtari të tjera me lobime në SHBA dhe shitblerje banesash në këmbim të përfitimit të shumave të konsiderueshme parash, të cilat janë përpjekur t'i fshehin, duke mos i deklaruar në ILDKPI dhe KQZ.

Konkretisht, deputetja Kryemadhi po hetohej nga SPAK për tre akuza, pastrim parash, korrupsion dhe mosdeklarim të ardhurash. Gjykata la në fuqi më 23 tetor masën “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” ndaj Kryemadhit, për të njëjtat vepra penale, si dhe ndaj të hetuarës Ema Çoku, për pastrim parash.

Ndërkohë ndaj Piro Xhixhos, i hetuar për korrupsion pasiv, iu zëvëndësua masa e sigurisë nga “arrest në shtëpi” në “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”. Të tre të hetuarit nën masën e sigurimit “detyrim paraqitje” urdhërohen të paraqiten një herë në muaj në zyrat e Policisë Gjyqësore të SPAK./Dosja.al

ilir meta

Sondazh

Poll