Politike

'I përcolla Trump përgjigjen për ftesën e tij'/ Rama: Angazhimi ynë do shkojë në Kuvend për miratim

Me anë të një postimi në X, Rama ka bërë publike letrën drejtuar Trump, Rama shkruan se Shqipëria qëndron me vendosmëri përkrah Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në të gjitha përpjekjet për promovimin e paqes, sigurisë dhe angazhimit konstruktiv global.

20 Janar 2026, 11:28 Nga I.A
'I përcolla Trump përgjigjen për ftesën e tij'/
Edi Rama

TIRANË- Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur pozitivisht ftesës së Presidentit Donald Trump për të marrë pjesë në nismën e tij 'Bordi i Paqes'. Me anë të një postimi në X, Rama ka bërë publike letrën drejtuar Trump, Rama shkruan se Shqipëria qëndron me vendosmëri përkrah Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në të gjitha përpjekjet për promovimin e paqes, sigurisë dhe angazhimit konstruktiv global.

Në letrën drejtuar Presidentit Trump, Kryeministri vlerëson Bordin e Paqes si një instrument konkret dhe të domosdoshëm për ndërtimin aktiv të paqes globale, përtej deklaratave formale. Rama shkruan se angazhimi i qeverisë shqiptare së shpejti do të shkojë në Kuvend për miratim. 

Postimi i Plotë:

Sot i përcolla Presidentit Donald J. Trump përgjigjen e ftesës së tij për të marrë pjesë në Bordin e Paqes. Së shpejti angazhimi ynë do t’i përcillet Kuvendit të Shqipërisë për miratim.

#KrenarpërShqipërinë

Bashkëlidhur përkthimi:

Republika e Shqipërisë Kryeministri Tiranë, 19 janar 2026

Shkëlqesisë së Tij Z. Donald J. Trump President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Washington, DC I nderuar Zoti President, Po ju shkruaj për të shprehur vlerësimin tim më të thellë për angazhimin tuaj të fortë dhe udhëheqjen vizionare në themelimin e Bordit të Paqes, si edhe për t’ju falënderuar sinqerisht për ftesën që më keni drejtuar personalisht për të qenë pjesë e tij, si edhe për ftesën drejtuar vendit tim, Republikës së Shqipërisë, për të shërbyer si anëtare themeluese.

Në një kohë kur konfliktet dhe përçarja dominojnë shumë shpesh panoramën ndërkombëtare, paqja duhet të formësohet aktivisht e jo të pritet pasivisht a diskutohet pafundësisht nëpër forume politike, teksa përreth globit jetë të pafajshme humbasin kotësisht çdo minutë. Bordi i Paqes shfaqet si mishërimi i kësaj domosdoshmërie urgjente. Duke trajtuar njëkohësisht pasojat e menjëhershme të konflikteve dhe shkaqet më të thella strukturore që e prodhojnë paqëndrueshmërinë, kjo nismë ka potencialin të shndërrohet në një model vërtetë transformues të ndërtimit të paqes në nivel global.

Duket qartë se për të qenë një organizatë e re ndërkombëtare, Bordi i Paqes nuk është konceptuar si një forum tjetër deklaratash, procedurash dhe përgjegjësish të shtyra në kohë, por si një instrument i përqëndruar dhe qëllimplotë i udhëheqjes dhe përgjegjësisë globale. Kur filtrohet pafundësisht përmes shtresave të procedurave, paqja shumë shpesh mbërrin tepër vonë; kjo nismë mishëron me plot të drejtë kuptimin se koha, qartësia e mandatit dhe përgjegjësia personale në nivelin më të lartë janë vetë instrumente të paqes.

Prandaj, është njëkohësisht privilegj dhe nder të shpreh gatishmërinë time të plotë për të kontribuar në këtë përpjekje të rëndësishme dhe për t’u bërë tërësisht pjesë e një angazhimi të përbashkët që synon ta përkthejë vizionin në veprim. Republika e Shqipërisë ka qenë prej kohësh një aleate e palëkundur e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e lidhur nga vlera të përbashkëta, respekt i ndërsjellë dhe një përkushtim i përbashkët ndaj lirisë, demokracisë dhe sigurisë ndërkombëtare.

Populli shqiptar do ta kujtojë gjithmonë dhe do ta çmojë vazhdimisht rolin parimor dhe vendimtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, drejt vendosjes së paqes dhe stabilitetit në rajonin tonë në momente kritike të historisë sonë të përbashkët. Në këtë frymë të qëndrueshme partneriteti, dëshiroj të ritheksoj se Republika e Shqipërisë qëndron me vendosmëri përkrah Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në të gjitha përpjekjet për promovimin e paqes, sigurisë dhe angazhimit konstruktiv global. Duke pritur me interes të kontribuoj në suksesin e misionit të Bordit të Paqes, ju lutem pranoni, Zoti President dhe Kryetar i Bordit, shprehjen e konsideratës sime më të lartë.

Me respekt, Edi Rama

Çfarë është Bordi i Paqes?

Presidenti amerikan Donald Trump ka shpallur krijimin e Bordit të Paqes, një strukturë e re ndërkombëtare që synon të luajë rol kyç në menaxhimin e periudhës pas-konfliktit në Rripin e Gazës. Ky bord është pjesë e një plani më të gjerë për armëpushim dhe stabilizim të situatës mes Izraelit dhe Hamasit.

Sipas planit, Bordi i Paqes do të mbikëqyrë administrimin tranzitor të Gazës, rindërtimin e infrastrukturës, garantimin e sigurisë dhe krijimin e një qeverisjeje teknokratike palestineze. Në fokus janë gjithashtu çarmatimi i grupeve të armatosura dhe angazhimi i një force ndërkombëtare stabilizuese.

Trump pritet ta kryesojë vetë bordin, ndërsa në përbërje parashikohen figura të njohura politike dhe diplomatike nga SHBA dhe vende të tjera. Vendet anëtare të përhershme të bordit do të kenë detyrimin të kontribuojnë financiarisht me nga 1 miliard dollarë secila, për të mbështetur operacionet e sigurisë dhe procesin e rindërtimit.

Iniciativa ka nxitur debate ndërkombëtare, me mbështetës që e shohin si një mundësi për arritjen e paqes afatgjatë dhe kritikë që shprehin shqetësime për rolin dhe ndikimin e saj në diplomacinë globale./Dosja.al

edi rama bordi i paqes donald trump

Sondazh

Poll