Aktualitet

33 kontrolle në Tiranë për call-center-at, dhjetë persona të arrestuar. Dy 'koka' në kërkim

Burime pranë SPAK konfirmuan për gazetarin Elton Qyno se kontrollet janë kryer në zonat e Saukut, Astirit, Freskut, Laprakës, si dhe në qendrën e biznesit “4Ever Green Tower”, e cila ndodhet përballë Kishës Ortodokse në qendër të kryeqytetit.

17 Janar 2026, 11:43 Nga Elton Qyno
33 kontrolle në Tiranë për call-center-at, dhjetë persona
Foto Ilustruese

TIRANË- Gjatë mbrëmjes së djeshme, SPAK dhe oficerë të Byrosë Kombëtare të Hetimit kanë kryer rreth 33 kontrolle në disa zona të Tiranës, si pjesë e nisjes së një hetimi për mashtrime përmes call-center-ave.

Burime pranë SPAK konfirmuan për gazetarin Elton Qyno se kontrollet janë kryer në zonat e Saukut, Astirit, Freskut, Laprakës, si dhe në qendrën e biznesit “4Ever Green Tower”, e cila ndodhet përballë Kishës Ortodokse në qendër të kryeqytetit.

Gjatë kryerjes së kontrolleve janë arrestuar 10 persona, të dyshuar si operatorë të call-center-ave, si dhe janë shpallur në kërkim dy persona të tjerë, të cilët dyshohet se janë organizatorët e kësaj skeme.

Aksionet e djeshme, të kryera nga SPAK dhe të mbështetura nga Policia e Shtetit, janë mbikëqyrur edhe nga një grup gazetarësh të emisionit investigativ “Le Iene” në Itali.

Gjatë kontrolleve janë sekuestruar kompjuterë dhe sende të tjera dokumentare, të cilat besohet se kanë lidhje me një çështje mashtrimi ndaj qytetarëve të Bashkimit Europian.

Rasti po ndiqet gjithashtu nga një prokuror i huaj dhe një prokuror shqiptar./Syri.net

call-center

Sondazh

Poll