Aktualitet

Kompania zvicerane MABCO denoncon tentativën për shpronësim dhe bllokimin e paligjshëm të investimit në Aeroportin e Vlorës

Përmes vendimeve të kontestueshme gjyqësore, MABCO-s po i bllokohet çdo e drejtë në shoqërinë ku ajo zotëron pothuajse të gjithë kapitalin, duke krijuar një precedent të rrezikshëm për sigurinë juridike dhe investimet e huaja në vend.

17 Janar 2026, 11:23 Nga I.A
Kompania zvicerane MABCO denoncon tentativën për shpronësim dhe
Plani i Aeroportit të Vlorës

TIRANË- Shoqëria zvicerane MABCO, zotëruese e 98% të aksioneve të kompanisë VIA (Vlora International Airport), denoncon publikisht një skemë të mirëorganizuar që synon shpronësimin de facto dhe de jure të investitorit shumicë dhe paralizimin e një prej investimeve më strategjike në Shqipëri.

Përmes vendimeve të kontestueshme gjyqësore, MABCO-s po i bllokohet çdo e drejtë në shoqërinë ku ajo zotëron pothuajse të gjithë kapitalin, duke krijuar një precedent të rrezikshëm për sigurinë juridike dhe investimet e huaja në vend.

Shkeljet kryesore të evidentuara:

Përmbysja e parimeve tregtare: Në një rast të paprecedent, Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë i ka njohur një aksioneri minoritar (me vetëm 2% të aksioneve) të drejtën për të bllokuar të drejtat, vullnetin dhe vendimmarrjen e aksionerit që zotëron 98% të kapitalit.

Arbitrariteti procedural: Vendimet e gjyqtarëve Fatmir Ndreu dhe Marjana Shegani janë marrë në mungesë të plotë të përfaqësuesve të MABCO-s, pa njoftim paraprak dhe në fshehtësi, duke shkelur parimin e kontradiktorialitetit.

Zvarritja e qëllimshme: Ndonëse vendimi i gjyqtares Shegani është dhënë mbi tre javë më parë, pala jonë ende nuk është njoftuar zyrtarisht. Kjo vonesë po përdoret si mjet për të zvarritur procesin e ankimimit në Gjykatën e Apelit.

Shpërfillja e hierarkisë gjyqësore: Pavarësisht se Gjykata e Apelit e rrëzoi më parë vendimin e gjyqtarit Fatmir Ndreu, një vendim pothuajse identik është rishfaqur nga Gjykata e Shkallës së Parë vetëm një ditë më pas, duke sfiduar hapur vendimmarrjen e një gjykate më të lartë. Kjo përmbysje e hierarkisë gjyqësore, do të përbënte kudo një rast për të hetuar deri në fund motivet që kanë çuar gjyqtaren në shpërfilljen e vendimit të një gjykate më të lartë.

Alarmi për sigurinë dhe kostoja publike

MABCO thekson se ky ngërç artificial ka paralizuar punimet në Aeroportin e Vlorës. Për më tepër, vijimi i punimeve pa mbikëqyrjen dhe kontrollin e aksionerit shumicë përbën një rrezik serioz për standardet teknike dhe sigurinë e ardhshme të qytetarëve. Ky skenar nuk dëmton vetëm investitorin zviceran, por rëndon drejtpërdrejt mbi qytetarët shqiptarë, të cilët rrezikojnë të paguajnë koston e dështimit të një projekti që duhet të bëhet funksional së shpejti.

Thirrje për ndërhyrje të menjëhershme

MABCO u bën thirrje zyrtare: Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë dhe organeve të inspektimit të hetojnë menjëherë motivet dhe procedurat e ndjekura nga gjyqtarët e përfshirë.

Institucioneve shtetërore dhe ndërkombëtare të ndërhyjnë për të ndalur këtë tentativë për "plaçkitje" juridike të një investitori të huaj.

MABCO mbetet e vendosur të mbrojë investimin e saj qindra milionë eurosh në të gjitha instancat e drejtësisë, brenda dhe jashtë Shqipërisë, për të garantuar që ky projekt strategjik të mos mbetet peng i interesave të dyshimta.

mabco vlora international airport

Sondazh

Poll