Aktualitet

Nis procesi gjyqësor 'Plumbi i Artë' pa praninë e Altin Ndocit, 'Burgjet': Nuk mund ta shoqërojmë për shkak të arratisjes

Mësohet se gjatë nisjes së seancës, drejtoria e Burgjeve ka njoftuar sallën për mos praninë e Ndocit dhe faktin e arratisjes së tij. 

15 Janar 2026, 11:53 Nga I.A
Nis procesi gjyqësor 'Plumbi i Artë' pa praninë e Altin
Altin Ndoci dhe Nuredin Dumani

TIRANË- Procesi gjyqësor i 'Plumbit të Artë' ka nisur ditën e sotme me mungesë të Altin Ndocit në sallën e gjyqit. Mësohet se gjatë nisjes së seancës, drejtoria e Burgjeve ka njoftuar sallën për mos praninë e Ndocit dhe faktin e arratisjes së tij. 

“Nuk mund të bëhet shoqërimi i Altin Ndocit, pasi nuk ndodhet në ambientet e IEVP Durrës, si pasojë e arratisjes së tij nga Spitali Rajonal Durrës. Është shpallur në kërkim nga policia”, citoi gjykata shkresën e DPB.

Si ndodhi ngjarja?

Altin Ndoci ishte shoqëruar nga paraburgimi i Durrësit për në spitalin Rajonal të qytetit, për të kryer një vizitë mjekësore te infektivi, në katin e tretë të spitalit, i cili ka edhe repartin e posaçëm të sigurisë për të dënuarit. Nga burgu drejt spitalit, Ndocin e kanë shoqëruar 5 policë, shoferi dhe 4 efektivë, por 2 prej efektivëve kanë qëndruar në makinë bashkë me drejtuesin dhe 2 policë të tjerë e kanë shoqëruar brenda spitalit.

Gjatë vizitës, Ndoci ka kërkuar të shkojë në tualet dhe njeri prej policëve të burgjeve e ka shoqëruar. Në këtë moment, kur sapo ka dalë nga tualeti, Ndoci ka goditur dy efektivët në pjesën e barkut dhe i ka shtyrë duke i larguar me shpejtësi nga kati i tretë i spitalit. Të dy efektivët që e shoqëronin brenda spitalit, e ndoqën dhe njëri prej tyre mësohet se ka qëlluar në ajër jashtë spitalit për ta trembur të arratisurin.

Ngjarja dyshohet të ketë qenë e mirë menduar dhe e planifikuar, pasi jashtë spitalit të paraburgosurin e priste një makinë, një Audi luksoze A7 e bardhë me targë AA700RS në pjesën e parkimit, me të cilën u larguan. Po ashtu, pas arratisjes, postblloqe të shumta policie janë ngritur në rrugët e Durrësit për lokalizimin dhe kapjen e tij. 

Policia e Durrësit, përveç kontrolleve në qytet dhe fshatrat përreth ka shtrirë kontrollet edhe në Kavajë. Ndërsa në qarqet kufitare, Fier, Tiranë, Lezhë, e më gjerë ka pika kontrolli ne hyrje të qyteteve. Sakaq, Drejtoria e Burgjeve ka nisur një hetim për sqarimin e plotë të rrethanave se si u arratis 38-vjeçari Altin Ndoci./Dosja.al

altin ndoci nuredin dumani plumbi i artë

Sondazh

Poll