Aktualitet

Vjosa lë nën ujë Bishan, Novoselë dhe Ferras, banesa të izoluara nga uji në Vlorë e Fier

Banorët shprehen se nuk kanë marrë asnjë ndihmë nga pushteti vendor apo ai qendror, teksa kërkojnë ndihmë për familjarët që kanë të sëmurë në shtëpi, si dhe ushqim për bagëtitë që i kanë shpëtuar përmbytjes.

9 Janar 2026, 18:11 Nga DOSJA

Vjosa lë nën ujë Bishan, Novoselë dhe Ferras, banesa

VLORË- Fshatrat në Vlorë dhe Fier ndodhen në ditën e tretë të përmbytjeve. Banesat janë të izoluara nga uji, ndërsa dëmet më të mëdha për banorët e fshatrave Bishan dhe Novosel, si dhe Ferras, Çerven dhe Kashisht, janë në bagëti dhe në të mbjellat, të cilat janë dëmtuar rëndë. Banorët shprehen se nuk kanë marrë asnjë ndihmë nga pushteti vendor apo ai qendror, teksa kërkojnë ndihmë për familjarët që kanë të sëmurë në shtëpi, si dhe ushqim për bagëtitë që i kanë shpëtuar përmbytjes.

Dhjetëra banorë janë të izoluar nga uji, me stalla të mbuluara dhe dëme të mëdha në bujqësi dhe blegtori, si pasojë e përmbytjeve në qarqet e Fierit dhe Vlorës. Më të dëmtuara janë fshatrat Bishan dhe Novosel në Vlorë, si dhe Ferras, Çerven dhe Kashisht në Fier. 

Banorët nuk mund të dalin nga banesat e tyre, pasi uji ka rrethuar shtëpitë dhe e kanë të pamundur lëvizjen. Dëmet në banesa për banorët në Ferras janë të mëdha, pasi rreth 75 familje janë përmbytur si pasojë e daljes nga shtrati të lumit Vjosë.

Ndërkohë, banorët e Bishanit janë të izoluar për shkak se mbikalimi për të hyrë në fshat është i mbuluar nga uji. Përveç ndjenjës së braktisjes nga shteti, i cili sipas tyre nuk ka ndërhyrë, ata kërkojnë ushqim për bagëtitë dhe shpendët shtëpiake. Dëme të konsiderueshme për banorët e këtyre fshatrave janë shkaktuar edhe në tokat bujqësore, të cilat janë të mbuluara nga uji, duke dëmtuar të gjitha të mbjellat./Syri.net

permbytjet ne vlore

Sondazh

Poll