Aktualitet

Porti i Gioia Tauro nën lupën e antimafias/ Mbi 5 tonë drogë të sekuestruara në 2025, goditje e rëndë për ‘Ndranghetën dhe...

Sipas të dhënave zyrtare, vetëm këtë vit janë sekuestruar mbi 5 tonë drogë, me një vlerë totale rreth 650 milionë euro, shifra që dëshmojnë përmasat e trafikut, por edhe intensifikimin e kontrolleve.

27 Dhjetor 2025, 11:08 Nga alba kepi
Porti i Gioia Tauro nën lupën e antimafias/ Mbi 5 tonë drogë
Foto ilustruese

Porti i Gioia Tauro, nyje kyçe e trafikut ndërkombëtar të drogës: mbi 5 tonë lëndë narkotike të sekuestruar gjatë vitit 2025, goditje e fortë për ‘Ndranghetën dhe rrjetet partnere si ato shqiptare. Gazetarja e Syri TV, Alba Kepi, raporton se gjatë vitit 2025, porti i Gioia Tauro në Kalabri është konfirmuar nga autoritetet italiane si një nga pikat më strategjike të logjistikës për trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike, por njëkohësisht edhe si skenë e disa prej goditjeve më të forta ndaj krimit të organizuar transnacional.

Sipas të dhënave zyrtare, vetëm këtë vit janë sekuestruar mbi 5 tonë drogë, me një vlerë totale rreth 650 milionë euro, shifra që dëshmojnë përmasat e trafikut, por edhe intensifikimin e kontrolleve. Një nga operacionet më të rëndësishme është realizuar nga Komanda Provinciale e Guardia di Finanza e Reggio Calabrias natën e Krishtlindjeve 2025, i cili ka identifikuar në portin e Gioia Tauro një ngarkesë gjigante kokaine të fshehur në rreth një mijë thasë me kikirikë, të nisur nga Amerika Latine dhe të destinuar, sipas dokumenteve tregtare, për Evropën Lindore. Gjatë kontrollit u zbuluan 400 pako kokaine të cilësisë shumë të lartë, me një peshë totale prej mbi 435 kilogramësh.

Operacioni zgjati deri në orët e vona të natës për shkak të numrit të madh të thasëve që duhej të shkarkoheshin dhe kontrolloheshin. Vendimtare rezultuan pajisjet radiogjene të kontrollit në përdorim nga Guardia di Finanza e Gioia Tauro, si dhe njësitë e qenve antidrogë, të cilat sinjalizuan anomalitë dhe elementët e dyshimtë në ngarkesën e deklaruar si mall ushqimor. Sipas hetuesve, nëse kjo sasi kokaine do të ishte hedhur në tregun me pakicë, do të kishte gjeneruar fitime mbi 70 milionë euro.

Prokurorët italianë kanë theksuar vazhdimisht se Gioia Tauro përfaqëson një nyje logjistike themelore për ‘Ndranghetën kalabreze, e cila shfrytëzon volumin e jashtëzakonshëm të kontejnerëve dhe rrjedhën e pandërprerë të mallrave për të futur drogën në Evropë të maskuar në ngarkesa të ligjshme. Sipas magjistratëve antimafia, trafiku i sotëm i drogës mbështetet në aleanca të qëndrueshme ndërkombëtare, ku Ndrangheta bashkëpunon me grupe kriminale të huaja.

Në këtë kuadër, shpesh prokuroritë italiane kanë evidentuar rolin operacional të rrjeteve kriminale shqiptare, të cilat, sipas tyre, bashkëpunojnë me mafian kalabreze në faza të ndryshme të trafikut: nga logjistika dhe transporti, deri te shpërndarja në tregjet e Evropës Lindore dhe Ballkanit. “Krimi i organizuar nuk është më lokal, por funksionon përmes strukturave të integruara dhe bashkëpunimeve ndërkombëtare”, kanë deklaruar prokurorë italianë në kuadër të hetimeve.

Prokurori i Republikës së Palmit, Emanuele Crescenti, ka nënvizuar se sekuestrimet rekord të vitit 2025 në Gioia Tauro janë prova konkrete e këtij sistemi kriminal të konsoliduar, por edhe e efektivitetit të strategjisë së kontrollit të forcuar. “Cdo ngarkesë e sekuestruar përfaqëson një goditje strukturore për organizatat kriminale dhe prish ekuilibrat e tyre financiarë”, kanë bërë të ditur burime nga prokuroria.

Aktet e përpiluara gjatë operacionit janë transmetuar nga Grupi i Guardia di Finanza i Gioia Tauro Prokurorisë së Republikës së Palmit, për konfirmimin e sekuestros dhe vijimin e hetimeve, të cilat pritet të shtrihen edhe në nivel ndërkombëtar.

Autoritetet italiane theksojnë se lufta kundër trafikut të drogës kërkon bashkëpunim të gjerë ndërkombëtar, shkëmbim informacioni dhe kontrolle të vazhdueshme në pikat kyçe si porti i Gioia Tauro, i cili mbetet një nga frontet më të ndjeshme në betejën kundër krimit të organizuar global./Syri.net

5 tonë drogë operacion krishtlindje

Sondazh

Poll