Aktualitet

Shkatërrohet "Elita e Pecarës"/ 16 arrestime nga rrjeti italiano-shqiptar! Autoritetet italiane: Mes tyre, avokatë, mjekë dhe pronarë restorantesh

Operacioni u finalizua ditën e sotme në Pescara, ku u ekzekutuan të gjithë urdhrat e Gjykatës, me 9 persona në burg dhe 7 në arrest shtëpiak.

22 Dhjetor 2025, 16:54 Nga D.S

Shkatërrohet "Elita e Pecarës"/ 16 arrestime nga rrjeti

ITALI-  Një rrjet kriminal i trafikut të drogës, që vepronte midis Italisë dhe Shqipërisë është shkatërruar duke vënë në pranga 16 persona. Rrjeti gjeneronte rreth 150 mijë euro fitime në muaj. Operacioni u finalizua ditën e sotme në Pescara, ku u ekzekutuan të gjithë urdhrat e Gjykatës, me 9 persona në burg dhe 7 në arrest shtëpiak.

Operacioni i koduar “MareMagnum”, merr emrin nga madhësia e zonës gjeografike të përfshirë, jo vetëm në qytetin e Peskarës dhe komunën aty pranë të Montesilvanos, por edhe provinca të tjera të territorit kombëtar, me degëzime që shtrihen deri në Shqipëri.Disa prej të dyshuarve janë me precedentë të mëparshëm penalë. Sasi të mëdha drogë u sekuestruan përgjatë këtij viti, kurse në flagrancë u kapën 2 kg kokainë. Provat bazohen në përgjimin e bisedave midis anëtarëve të grupit, kryesisht ato telefonike.

“Hetimi mbështetet në shërbime të synuara vëzhgimi mbi përdorimin e drogës, me vëmendje të veçantë ndaj të ashtuquajturës “elitë Pescara”. Këto hetime kanë zbuluar gradualisht një rrjet kriminal të strukturuar dhe me rrënjë të thella, të gjurmueshëm deri te individë me kombësi italiane dhe shqiptare, të cilët, ndonëse nuk veprojnë domosdoshmërisht në një mënyrë të koordinuar, janë megjithatë pjesë e një rrjeti marrëdhëniesh të dobishme për trafikimin e paligjshëm”, thanë autoritetet pas operacionit.

Mediat shkruajnë se, organizata kriminale, përfshinte një grup të larmishëm individësh, nga kriminelë shumë të rrezikshëm deri te tregtarë ambulantë, si dhe një bazë të madhe dhe të vendosur konsumatorësh. Hetuesit zbërthyen skemën e trafikut, duke filluar nga nivelet më të ulëta deri në majë të organizatës. Personazhe të dyshimta aktive në sektorë të ndryshëm të jetës ekonomike të qytetit, sipërmarrës të llojeve të ndryshme, profesionistë (avokatë, mjekë), pronarë restorantesh. Sipas mediave italiane, falë një fluksi të qëndrueshëm ditor, rrjeti gjeneronte të ardhura prej mbi 150,000 eurosh në muaj për kriminelët që vepronin në grup. Kriminelët nuk hezituan të përdornin masa të dhunshme për të zbatuar pagesat për dërgesat e drogës ose për të ushtruar autoritetin e tyre brenda rrjetit të trafikimit të drogës./Dosja.al

Sondazh

Poll