Politike

Operacioni anti-korrupsion në Kosovë! Arrestohet ish-ministri Fadil Ismajli, tjetërsonte pronat në bashkëpunim me zyrtarë të tjerë për përfitime personale

Operacioni çoi në arrestimin e dhjetra zyrtarëve të lartë publikë, mes tyre edhe ish-ministri i Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismajli, i cili drejtoi ministrinë në vitin 2013 nga radhët e partisë së Behgjet Pacollit.

19 Dhjetor 2025, 18:38 Nga M.L
Operacioni anti-korrupsion në Kosovë! Arrestohet ish-ministri Fadil
Fadil Ismajli

KOSOVA- Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, njoftoi mbrëmjen e djeshme finalizimin e një operacioni të gjerë kundër keqpërdorimit të detyrës zyrtare dhe korrupsionit, pas një hetimi disamujore të zhvilluar nga Policia e Kosovës dhe institucionet e tjera relevante.

Operacioni çoi në arrestimin e dhjetra zyrtarëve të lartë publikë, mes tyre edhe ish-ministri i Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismajli, i cili drejtoi ministrinë në vitin 2013 nga radhët e partisë së Behgjet Pacollit.

Sipas Sveçlës, veprimet e arrestuarve lidhen me procesin e shpronësimit të pronave private gjatë viteve 2011–2015. Të dyshuarit, përfshirë edhe kryetarin e degës së Gjykatës së Graçanicës, zyrtarë të avokaturës së shtetit, ekspertë të gjykatës dhe një zyrtar të Departamentit të Shpronësimeve, dyshohet se kanë vepruar si grup i organizuar kriminal. Ata akuzohen për keqpërdorim të detyrës dhe rikompensim të paligjshëm, duke përfituar nga fondet publike dhe duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në buxhetin e Kosovës.

Policia ka sekuestruar pasuri dhe prova të ndryshme që mund të përdoren në hetimet e mëtejshme, përfshirë rreth 20 mijë euro, armë zjarri, bizhuteri, dokumente, pajisje elektronike dhe tri automjete, të dyshuara si të lidhura me aktivitetet kriminale të të arrestuarve.

“Finalizohet me sukses operacioni kundër keqpërdorimit të detyrës zyrtare dhe korrupsionit Bazuar në të dhënat e siguruara nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë, pas një hetimi disamujore të kryer nga Policia e Kosovës dhe institucionet tjera relevante, sot janë arrestuar disa zyrtarë të lartë në institucione, të dyshuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe korrupsion, të ndërlidhur me procesin e shpronësimit të pronave private.

Në këtë rast janë të përfshirë disa zyrtarë të lartë publikë dhe persona përgjegjës, përfshirë: kryetarin e degës së Gjykatës së Graçanicës, J. M.; zyrtarë nga avokatura N. K., M. D. dhe B. D.; ekspertin e gjykatës Sh. T.; zyrtarin në Departamentin e Shpronësimeve; zyrtari i ATK G.L si dhe ish-ministrin e Tregtisë dhe Industrisë, F. I.

Sipas dyshimeve, personat e lartpërmendur kanë vepruar si grup i organizuar kriminal, duke keqpërdorur pozitat e tyre zyrtare dhe duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në buxhetin e Republikës së Kosovës.

Ky grup dyshohet se, përmes korrupsionit dhe keqpërdorimit të detyrës zyrtare, ka iniciuar dhe deponuar lëndë në Gjykatën e Graçanicës me qëllim të rikompensimit të paligjshëm për shpronësimet e kryera gjatë viteve 2011–2015, duke përfituar në mënyrë të kundërligjshme nga fondet publike.

Koha kur zyrtarët publikë kanë keqpërdorur buxhetin e Republikës së Kosovës pa u ndëshkuar, ka përfunduar.

Përgëzoj institucionet për këtë sukses të radhës në luftën pa kompromis kundër keqpërdorimit të detyrës zyrtare dhe korrupsionit.

Vullneti politik për t’i luftuar dukuritë negative, bashkëpunimi ndërinstitucional dhe ai qytetar po japin rezultate konkrete për ndërtimin e një shteti ligjor, të zhvilluar dhe të pacenueshëm nga çfarëdo forme e krimit në vendin tonë”, shkruan ai./ Dosja.al

xhelal sveçla fadil ismajli

Sondazh

Poll