Aktualitet

"Suel Çelën nuk e njoh"/ Plumbi i Artë, biznesmeni Lulzim Masha rrëfehet në GJKKO për atentatin: Atentatori po më priste te një kthesë e fortë

Teksa po tregonte për atentatin, Masha thotë se atentatori po e priste tek një kthesë e fortë ku ulet shpejtësia dhe po rrinte në trotuar ku njerëzit ecin për vrap.

18 Dhjetor 2025, 13:16 Nga E. D
"Suel Çelën nuk e njoh"/ Plumbi i
Lulzim Masha

TIRANË- Seanca e radhës për dosjen ‘Plumbi i Artë’ po zhvillohet ditën e sotme në Gjykatën e Posaçme. Në këtë seancë po rrëfehet para togave të zeza Lulzim Masha, i cili i shpëtoi atentatit të armatosur në mes të qytetit. Masha ka përshkruar me detaje si u përball me rrezikun, pa pasur asnjë konflikt apo borxh me dikë. 

Teksa po tregonte për atentatin, Masha thotë se atentatori po e priste tek një kthesë e fortë ku ulet shpejtësia dhe po rrinte në trotuar ku njerëzit ecin për vrap. Në fund ai theksoi se Suel Çelën nuk e njeh dhe nuk e ka takuar ndonjëherë, por vetëm ca ka dëgjuar në TV.

“Unë përdor një Benz ML prej shumë vitesh, po shkoja si zakonisht te shkolla kur dëgjova 2-3-4 krisma. Nuk e kuptova çfarë ndodhi, e pashë nga pasqyra që një djalë i gjatë po mbushte armën. Unë e ktheva makinën dhe thashë: ‘Çfarë ndodhi?’ Ai iku me vrap. Lajmërova policinë sepse pashë gëzhojat në vendngjarje. Nuk kam pasur asnjë konflikt me njeri apo ndonjë shqetësim. Zoti deshi që shpëtova dhe jam këtu sot të dëshmoj. Si i thonë, jetgjati nuk bëhet, jetë e shkurtër.

Isha vetëm në makinë, plumbat ishin nga krahu i shoferit tek tranversa e derës. Nuk e lidh dot këtë ngjarje me asgjë. Jam njeri i rregullt, nuk di kujt t’i vë emër, nuk njoh asnjë nga këta persona. Në trotuar, kur më qëlluan, ishin dy topografë që po masnin rrugën. Shumicën e rasteve shkoj me bashkëshorten në punë; atë ditë, si rrallë herë, isha vetëm.

Atentatori po më priste tek një kthesë e fortë ku ulet shpejtësia. Ai po rrinte te trotuari kur ecin njerëzit për vrap, sport. Nuk kam kujt as 1 euro borxh. Djali im, Adriani, ka bizneset e veta dhe një shkollë në Tetovë. Ditën e ngjarjes ai ishte këtu në Tiranë. Jetonte mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Ai është shumë i rregullt, nuk ka vese. Në dijeninë time, nuk ka pasur asnjë konflikt apo borxh, kurrë. Suel Çelën se njoh as, se kam takuar ndonjëherë, vetëm ca kam dëgjuar në TV”, deklaroi Lulzim Masha.

Lulzim Masha u shpëtoi plumbave në zonën e Liqenit Artificial në Tiranë teksa udhëtonte me mjetin e tij tip “Mercedes Benz”, të llojit ML. Drejt tij u qëllua disa herë nga personi që tashmë është vënë në pranga, Skerdi Tase, por asnjë nga plumbat nuk e kapi. Ngjarja e mbyll me vetëm dëme materiale në mjetin e Mashës. Vetë ky i fundit dëshmoi se nuk kishte konflikte me askënd, por Dumani tregoi se kishte marrë udhëzime nga Çela për organizimin e atij atentati dhe të një tjetri të zhvilluar në Elbasan për eliminimin e Elton Kilës. Ky i fundit u ka shpëtuar katër atentateve./Dosja.al

lulzim masha

Sondazh

Poll