Politike

Padia në Kushtetuese kundër Endrit Shabanit e greva e urisë në ambientet e Kuvendit! Çfarë u diskutua në mbledhjen me dyer të mbyllura të PD

Burime për mediatr bëjnë me dije se një nga vendimet kryesore të këtij takimi ishte inicimi i një ankese në Gjykatën Kushtetuese për zgjedhjen e Endrit Shabanit në postin e Avokatit të Popullit, me synimin për ta shpallur procesin të pavlefshëm.

15 Dhjetor 2025, 20:31 Nga M.L
Padia në Kushtetuese kundër Endrit Shabanit e greva e urisë
Grupi Parlamentar i PD

TIRANA- Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi një mbledhje me grupin parlamentar në selinë qendrore të PD-së, vetëm disa orë përpara zhvillimit të "Foltores 5" para Kryeministrisë në Bulevardin "Dëshmorët e Kombit". Takimi u mbajt me dyer të mbyllura dhe u fokusua në strategjinë politike të opozitës për ditët në vijim.

Burime për mediatr bëjnë me dije se një nga vendimet kryesore të këtij takimi ishte inicimi i një ankese në Gjykatën Kushtetuese për zgjedhjen e Endrit Shabanit në postin e Avokatit të Popullit, me synimin për ta shpallur procesin të pavlefshëm.

Në tryezën e diskutimeve u hodhën edhe opsione të tjera për intensifikimin e aksionit opozitar kundër qeverisë, përfshirë edhe propozime radikale si greva e urisë brenda ambienteve të Kuvendit.

Gjithashtu, demokratët diskutuan edhe për qëndrimin ndaj veprimtarisë parlamentare. U vendos që në seancat dhe komisionet e ditës së nesërme të mos ketë pjesëmarrje, me arsyetimin se deputetët duhet të angazhohen në terren për mobilizimin e qytetarëve në funksion të protestës kombëtare të paralajmëruar për datën 22 dhjetor./ Dosja.al

sali berisha

Sondazh

Poll