Politike

Kuvendi i hap rrugën Paketës Fiskale 2026! Vrull amendamentesh por asnjë i pranuar nga mazhoranca, TVSH në bujqësi mbetet e pandryshuar

Projektligji për TVSH-në në sektorin bujqësor kaloi me 80 vota pro dhe 25 kundër, pa asnjë përmirësim nga versioni fillestar. Ligji parashikon kompensim 10% për fermerët e regjistruar me NIPT kur shesin produktet e tyre te grumbulluesit. Megjithatë, nga rreth 111 mijë fermerë në vend, vetëm 11 mijë janë të regjistruar dhe do të përfitojnë realisht nga skema.

12 Dhjetor 2025, 07:36 Nga M.L
Kuvendi i hap rrugën Paketës Fiskale 2026! Vrull amendamentesh por
Kuvendi i Shqipërisë

TIRANA- Në seancën plenare të djeshme, shumica qeverisëse miratoi një sërë projektligjesh fiskale pa pranuar asnjërin prej amendamenteve të propozuara nga deputetë të mazhorancës dhe opozitës. Ndryshimet e kërkuara, veçanërisht ato që lidhen me mbështetjen e fermerëve, u rrëzuan gjatë votimit.

Projektligji për TVSH-në në sektorin bujqësor kaloi me 80 vota pro dhe 25 kundër, pa asnjë përmirësim nga versioni fillestar. Ligji parashikon kompensim 10% për fermerët e regjistruar me NIPT kur shesin produktet e tyre te grumbulluesit. Megjithatë, nga rreth 111 mijë fermerë në vend, vetëm 11 mijë janë të regjistruar dhe do të përfitojnë realisht nga skema.

Edhe projektligji për procedurat tatimore u miratua pa ndryshime, me mbështetjen e mazhorancës. Ky ligj ul kufirin e transaksioneve në para të gatshme mes bizneseve nga 150 mijë në 100 mijë lekë dhe vendos për herë të parë një tavan prej 500 mijë lekësh për pagesat cash të individëve apo të vetëpunësuarve.

Me 81 vota pro dhe 18 kundër u aprovua gjithashtu projektligji për sistemin e taksave vendore, i cili përjashton nga taksa e ndikimit në infrastrukturë investimet publike në arsim, shëndetësi dhe mbrojtje sociale, të financuara nga buxheti i shtetit apo nga njësitë vendore.

Ndryshimet në ligjin “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit” u miratuan po me 81 vota pro, ndërsa projektligji “Për tatimin mbi të ardhurat” mori 84 vota pro. Ky i fundit parashikon incentiva të reja fiskale për sponsorizimet në sport, si dhe për investimet në kërkim dhe zhvillim./ Dosja.al

projektligji për tvsh kuvend seance maratone

Sondazh

Poll