Aktualitet

Vrasja e biznesmenit në Elbasan/ Gjendet një makinë e djegur në fshatin Mirakë, dyshohet e autorëve

Dyshohet se makina është përdorur nga autorët e vrasjes së biznesmenit Edmond Hyka, Mondi Mëhalla.

1 Dhjetor 2025, 10:01 Nga E. D
Vrasja e biznesmenit në Elbasan/ Gjendet një makinë e djegur
foto ilustruese

MIRAKË- Një makinë e djegur është gjetur në afërsi të fshatit Mirakë, aksi rrugor Elbasan-Librazhd. Dyshohet se makina është përdorur nga autorët e vrasjes së biznesmenit Edmond Hyka, Mondi Mëhalla. Dyshohet se autorët, pasi e kanë qëlluar disa herë duke e lënë të vdekur në vend, janë larguar me automjet në drejtim të Librazhdit.

43 vjeçari u qëllua sapo kishte dalë nga zyra në karburantin "Xhaxhi Oil" në pronësi të tij dhe ishte futur në automjetin "Range Rover".  Autorët e kanë qëlluar disa herë me pistoletë, ndërsa dy prej plumbave e prekën në kokë. 43-vjeçari ishte me precedentë dhe jetonte në zonën Komuna e Parisit në Tiranë. 

Si ndodhi ngjarja? 

Mbrëmjen e së dielës (30 Nëntor), biznesmeni Edmond Hyka alias Mondi Mëhalla u ekzekutua brenda mjetit të tij tip Range Rover. Trupi i pajetë i 43-vjeçarit u gjet brenda makinës rreth orës 20:35, në lagjen “Emin Matraxhiu” të qytetit të Elbasanit. Viktima sapo kishte dalë nga zyra, në afërsi të së cilës ndodhen bizneset dhe shtëpia e nënës së tij.

Në momentin kur është futur në makinë, është qëlluar me armë zjarri dhe ka marrë tre plumba, dy prej të cilëve në kokë, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Më pas në vendngjarje mbërritën shërbimet e Policisë, të cilat kanë ngritur pika kontrolli në të gjitha daljet e qytetit, ndërsa janë bërë kontrolle në zonë dhe në ambiente të ndryshme për kapjen e autorëve.

Gjithashtu automjeti i përdorur nga ekzekutuesit dyshohet të ketë qenë një Audi me ngjyrë të zezë, i cili është larguar me shpejtësi në drejtim të aksit rrugor Elbasan–Librazhd.

Atentatorët pasi janë siguruar se 43-vjeçari ndërroi jetë larguar me Audin e zi në drejtim të aksit Elbasan-Librazhd. Policia ndërkohë njoftoi se një grup i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, ka nisur punën për zbardhjen e rrethanave të krimit dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes./Dosja.al

mirakë edmond hyka mondi mëhalla

Sondazh

Poll