Aktualitet

Presta nome! Babë e bir me koncesione diellore, qeveria shpërblen “punëtorët e Salillarit” me projekte

Një javë më parë, Piranjat treguan historinë e Hektor Agalliut, pensionistit nga Tërpani, punëtor i firmës Salillari, i cili rezultoi përfitues i koncesionit për ndërtimin e Portit Tregtar të Vlorës, një projekt me vlerë rreth 60 milionë euro.

21 Nëntor 2025, 21:48 Nga M.L
Presta nome! Babë e bir me koncesione diellore, qeveria shpërblen
Foto nga emisioni

Një javë më parë, Piranjat treguan historinë e Hektor Agalliut, pensionistit nga Tërpani, punëtor i firmës Salillari, i cili rezultoi përfitues i koncesionit për ndërtimin e Portit Tregtar të Vlorës, një projekt me vlerë rreth 60 milionë euro.

Por historia nuk përfundon këtu.

Këtë herë, në qendër të vëmendjes është djali i tij, Engjëll Agalliu, i cili duket se ka të njëjtën “fat” si i ati. Madje, projekti që ka përfituar ai është edhe më i madh. Në shkurt të vitit 2024, ky 40-vjeçar themeloi kompaninë Albanian Solar Power. Objekti i veprimtarisë së saj përfshin një gamë të gjerë aktivitetesh: prodhimin, shpërndarjen dhe shitjen e energjisë, deri te shërbimet imobiliare dhe shitblerja e pasurive të paluajtshme.

Kapitali fillestar? 100 mijë lekë. Një shumë modeste – sa dy muaj qira zyrash – por që nuk e pengoi aspak Ministrinë e Energjitikës ta shpallte këtë kompani fituese të një lejeje kolosale prej 82 megavatësh, projekt i cili kërkon minimalisht 80 milionë euro investim.
Më 4 qershor 2025, Këshilli i Ministrave i miratoi Engjëll Agalliut lejen 49-vjeçare për ndërtimin e centralit fotovoltaik dhe veprave ndihmëse në fshatin Boçovë të Bashkisë Fier.
Shteti, në këmbim, do të marrë falas vetëm 2% të prodhimit vjetor të energjisë, ose vlerën monetare të tij.

Si babai, ashtu edhe djali – Hektori dhe Engjëlli – janë punonjës të firmës Salillari. Çdo ditë, në orën 07:00, dalin nga i njëjti pallat i ndërtuar nga Salillari dhe nisen për në punë me të njëjtën makinë të firmës. Pavarësisht lidhjes familjare me oligarkun që i punëson, të dy zyrtarisht mbajnë pozicione modeste pune. Megjithatë, brenda pak vitesh, një familje e zakonshme punëtorësh është bërë pronare e dy mega-projekteve që çdo kompani e madhe me eksperiencë do t’i ëndërronte.

Se si ka ndodhur kjo? Pse? Me çfarë kriteresh?

Këtë nuk mund ta themi – sepse dokumentet flasin vetëm për faktin e thjeshtë: toka në Boçovë dhe leja 82 MW janë sot në duart e Engjëll Agalliut, i cili formalisht është gati të nisë projektin më të rëndësishëm të jetës.

Por pyetja që mbetet pezull është kjo: A është Engjëll Agalliu pronari real i këtij projekti, apo thjesht emri që duhej të dilte në letër?/ Piranjat.al

hektor agalliu firma “salillari”

Sondazh

Poll

Aktualitet 21 Nëntor 2025, 21:24 M.L

Përbindëshi në dollap!

Florian Binaj Nga Florian Binaj Dje, zv.kryeministrja e Shqipërisë u pezullua nga detyra me vendim të GJKKO-së. E di, në një...