Aktualitet

Përbindëshi në dollap!

Ne kemi edhe një kryetar bashkie në burg, me akuza të rënda për korrupsion, që nuk jep dorëheqje e as ia kërkojnë. Madje, pretendon të ruajë pushtetin. Dorëheqja, në një demokraci perëndimore, është një detyrim.

21 Nëntor 2025, 21:24 Nga M.L
Përbindëshi në dollap!
Florian Binaj

Nga Florian Binaj

Dje, zv.kryeministrja e Shqipërisë u pezullua nga detyra me vendim të GJKKO-së. E di, në një vend normal, ajo do të jepte dorëheqjen në sekondën e parë që e thirrën të pandehur. Ne kemi edhe një kryetar bashkie në burg, me akuza të rënda për korrupsion, që nuk jep dorëheqje e as ia kërkojnë. Madje, pretendon të ruajë pushtetin. Dorëheqja, në një demokraci perëndimore, është një detyrim. Moral. Politik. Logjik.

Por jo. Jo në Shqipëri. Sikurse kryetari i bashkisë, edhe zv.kryeministrja nuk dha dorëheqje. Madje askush nuk ia kërkoi. As ata që e votuan, as kolegët e vet, as partia e vet, as kryeministri.

Përkundrazi, u bë pak show: “nuk do ta lëshojë”, “nuk do të dorëzohet”, “do ta zgjidhë”. Ndërkohë, drejtësia thotë: pezullim nga detyra dhe bllokim pasaporte.

Për korrupsion!

Ky vendim është një shenjë. Një shenjë që, edhe kur drejtësia është gjysmë e kapur, gjysmë e trembur, gjysmë e gjallë… korrupsioni është si ai përbindëshi në dollap: ti mund të flesh i qetë duke menduar se nuk ekziston… por ai do të dalë një ditë.
Dhe ka dalë.

Por a mjafton?

A do të ndreqet fryma korruptive që përshkon administratën shqiptare, nga maja e deri në bazë?

Përgjimet e zv.kryeministres treguan një gjë shumë të thjeshtë: asnjë ministër nuk bën korrupsion vetëm. Asnjë zyrtar i lartë nuk i bën milionat tek pulla. Kjo është një ushtri. Një zinxhir. Një mekanizëm i tërë në administratë, ku çdo hallkë poshtë i shërben hallkës sipër.

Dhe pyetja që lind është: çfarë duhet të ndodhë që ky zinxhir të trembet, të këputet? Çfarë duhet të ndodhë që një drejtor, një shef sektori, një jurist, një ekonomist, një punonjës i thjeshtë të ketë guxim të thotë: “Jo. Kjo është vepër penale. Nuk e bëj”?

Dhe përgjigjja është e hidhur: shumë pak e thonë.

Sepse shumë prej tyre janë pjesë e krimit. Pjesë e ndarjes. Pjesë e përfitimit.
Por kryesorja, sepse të gjithë e dinë që ky sistem funksionon vetëm në këtë formë, për sa kohë drejtësia nuk kap kokën, atë që qëndron sipër zv.kryeministres.

Dhe pastaj pyes veten: Prandaj, edhe sot, me dy zv.kryeministra të akuzuar për korrupsion, ka njerëz që vazhdojnë të firmosin, të vjedhin, të marrin rryshfete, të bëjnë tendera të korruptuar… në grup… Duke besuar se nuk do të vijë radha e tyre. Se nuk do të dalin përgjimet e tyre.

Se, për sa kohë është ai lart i paprekur, as atyre nuk do t’u bjerë “fati i keq” të kapen!

Kur do ta kuptoni që nuk është punë fati? Është punë kohe. Sepse abuzimi, krimi dhe e keqja nuk kanë datë skadence.

Sot është pezulluar një zv.kryeministre. Nesër është radha e të tjerëve: atyre më poshtë saj, por edhe atij sipër saj — (bën me gisht lart). Dhe mos u gënjeni: radha juaj vjen gjithmonë.

Sepse — dhe kjo është pjesa që duhet t’ju shqetësojë — jo e gjithë shoqëria shqiptare është e korruptuar. Është vetëm një pjesë e kalbur — ju!
Dhe nuk është e vështirë për t’ju këputur! Dhe kur të këputeni… nuk do të ketë as show, as statusë, as deklarata.

Vetëm drejtësi./ Piranjat.al

florian binaj

Sondazh

Poll