Politike

Pezullimi i Ballukut me vendim të GJKKO, Salianji: Edi Rama të japë dorëheqjen! Duhet një qeveri tranzitore që rikthen demokracinë

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Salianji u shpreh se kryeministri Edi Rama duhet të japë dorëheqjen, pasi sipas tij ai është e keqja e Shqipërisë.

20 Nëntor 2025, 13:28 Nga E.d
Pezullimi i Ballukut me vendim të GJKKO, Salianji: Edi Rama
Ervin Salianji 

TIRANË- Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji ka reaguar sot pas vendimit të GJKKO-së, i cili pezulloi nga detyra numrin dy të qeverisë, Belinda Ballukun. Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Salianji u shpreh se kryeministri Edi Rama duhet të japë dorëheqjen, pasi sipas tij ai është e keqja e Shqipërisë.

Ai tha se Shqipëria ka nevojë urgjente për një qeveri tranzitore që të garantojë zgjedhje të lira, të ndershme dhe me standarde evropiane. Ish-deputeti deklaroi se korrupsioni dhe abuzimet e përditshme kanë çuar në rrënimin e shtetit. Në fund, ish-deputeti opozitar tha se kryeministri Rama është shndërruar në pengesën kryesore të Shqipërisë, në simbolin e një sistemi të korruptuar që prodhon padrejtësi, pabarazi dhe varfëri. 

“Edi Rama duhet të japë dorëheqjen! Shqipëria ka nevojë urgjente për një qeveri tranzitore që të garantojë brenda pak kohësh zgjedhje të lira , të ndershme dhe me standarde evropiane. Korrupsioni galopant, abuzimet e përditshme dhe kapja e institucioneve kanë çuar në rrënimin e shtetit. Goditjet e fundit nga drejtësia ndaj njerëzve më të fuqishëm të pushtetit nuk janë surprizë për askënd, janë provë e qartë e asaj që kemi thënë prej vitesh, qeveria është kalbëzuar në çdo qelizë.

Edi Rama është shndërruar në pengesën kryesore të Shqipërisë, në simbolin e një sistemi të korruptuar që prodhon padrejtësi, pabarazi dhe varfëri. Ai është sot e keqja e Shqipërisë. Koha për ndryshim ka ardhur dhe hapi i parë është dorëheqja e Edi Ramës dhe krijimi i një qeverie tranzitore që i kthen vendit besimin dhe demokracinë!”, shkruan Salianji.

Ministrja Balluku është marrë e pandehur rreth tre javë më parë nga Prokuroria e Posaçme në lidhje me ndërtimin e tunelit të Llogarasë. Deri më tani ajo është zyrtarja më e lartë e qeverisë Rama, e cila ndodhet nën akuza nga Prokuroria e Posaçme. 

Hetimi lidhet me procedurën e tenderit për Ndërtimin e tunelit të Llogarasë, në seksionin rrugor Orikum-Himarë, pjesë e autostradës SH8 (Vlorë-Sarandë). Tenderi fillimisht u hap më 11 dhjetor 2020, u anulua dhe u rihap më 22 qershor 2021, me fond limit 18,967,810,952.08 lekë pa TVSH./Dosja.al

ervin salianji  ish-deputeti gjkko

Sondazh

Poll