Politike

“Kur të votoni buxhetin mos shikoni grafikun, por realitetin jashtë kësaj salle” Topalli: Kryeministri ka 13 vite që prodhon vetëm largim të shqiptarëve, taksat e larta...

Gjatë debatit për buxhetin 2026 në Kuvend, Topalli theksoi se një buxhet që rrit propagandën dhe ul cilësinë e jetës së qytetarëve nuk mund të konsiderohet buxhet zhvillimi, por i pushtetit.

19 Nëntor 2025, 19:35 Nga M.L
“Kur të votoni buxhetin mos shikoni grafikun, por realitetin
Jozefina Topalli

TIRANA- Deputetja e Partisë Demokratike, Jozefina Topalli kërkoi që kolegët të mos fokusohen vetëm te grafiket që paraqesin ministrat, por të shikojnë realitetin jashtë sallës parlamentare, ku dyqanet dhe bizneset po mbyllen, familjet përballen me vështirësi financiare dhe pensionistët numërojnë lekët. Gjatë debatit për buxhetin 2026 në Kuvend, Topalli theksoi se një buxhet që rrit propagandën dhe ul cilësinë e jetës së qytetarëve nuk mund të konsiderohet buxhet zhvillimi, por i pushtetit.

Topalli kritikoi gjithashtu qeverisjen e kryeministrit Edi Rama, duke e akuzuar se gjatë 13 viteve në pushtet nuk ka realizuar veprime konkrete për të përmirësuar jetën e qytetarëve dhe se ka kontribuar në largimin e shqiptarëve nga korrupsioni dhe padrejtësitë.

Ajo gjithashtu ngriti shqetësime mbi sigurinë në vend, duke vënë në dukje mangësitë në menaxhimin e emergjencave dhe mungesën e mjeteve serioze për të përballuar situata si zjarret dhe incidentet infrastrukturore, duke theksuar kontrastin me investimet në teknologji dhe satelitë.

Jozefina TopalliNjë shtet i shëndetshëm nuk matet me sa para ka por me sa dinjitet i jep njerëzve të tij, sa mundësi u jep të rinjve, sa mundësi u jep familjeve. Sa drejtësi i jep qytetarëve, sa siguri i jep investitorëve të huaj, sa respekt i jep taksapaguesit, sa transparencë ka në çdo qindarkë që shpenzon. Nëse këto mungojnë atëherë asnjë buxhet asnjë rritje dhe asnjë reklame, nuk mund të fshehë gjendjen reale.

Kur të votoni këtë buxhet mos shikoni grafikun që ju tregojnë ministrat, shikoni realitetin jashtë kësaj salle, shikoni dyqanet dhe bizneset që mbyllen, familjet që ikin, pensionistët që numërojnë lekët, shikoni nënën që nuk përballon fatura. Shikoni studentin që nuk ka shpresë, sepse një buxhet që rrit propagandën dhe ul cilësinë e jetës së qytetarit nuk është buxheti i zhvillimit kurrë, është buxheti i pushtetit.

Shqipëria nuk ka nevojë për më shumë pushtet, por më shumë shtet. Euro posht, dollari poshtë, prodhimi poshtë eksportet poshtë, kullat lartë, taksat lartë. Ky kryeministër ka 13 vite që prodhon vetëm largim të shqiptarëve kryesisht nga korrupsioni dhe nga padrejtësia. Ky sot kërkon të bëjë buxhetin e vitit të ardhshëm, por buxheti është pasqyrë e qartë e absurditetit të këtyre 13 viteve të qeverisës së tij.

Ky njëri kërkon të prodhojë armë, ndërkohe që në veri por edhe në jug fiken zjarret me lopata. E gjithë bota përdor avionë helikopter, teknologji, ne përdorim lopatat sepse qeveria ka 13 vite që nuk ble një mjet serioz për emergjencën. Ky vendos satelitë, kërkon të kontrollojë hapësirën por nuk është në gjendje të kontrollojë asnjë tub uji, jo më atë që ndodhi në Rinas, në zonën ku supozohej të ishte me e sigurta./ Dosja.al

jozefina topalli

Sondazh

Poll