Aktualitet

Krimi në Shqipëri nuk është fenomen, është strukturë!

Vetëm pak ditë më parë, një atentat mafioz në aeroportin “Nënë Tereza” tronditi vendin. Në makinë, bashkë me shënjestrën e atentatit, ndodhej një agjent i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, institucioni që duhet të kontrollojë policët e korruptuar dhe të lidhur me krimin.

14 Nëntor 2025, 21:11 Nga Florjan Binaj
Krimi në Shqipëri nuk është fenomen, është
Florjan Binaj

TIRANË- Sot në mëngjes, në rrugën e Elbasanit, trafiku u bllokua sepse makinat e policisë me fenelina ishin të angazhuara me hapjen e rrugës për një zyrtar të lartë që nuk kishte nerva e as kohë të priste në trafik si ne të tjerët. Nuk e kuptova mirë kush ishte ky zyrtar, ministër apo kryeministër, se tani mbajnë edhe xhama të zinj – nuk duan as të na shohin më me sy.

Vetëm pak ditë më parë, një atentat mafioz në aeroportin “Nënë Tereza” tronditi vendin. Në makinë, bashkë me shënjestrën e atentatit, ndodhej një agjent i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, institucioni që duhet të kontrollojë policët e korruptuar dhe të lidhur me krimin.

Tashmë, krimi në Shqipëri nuk është fenomen, është strukturë. Nuk kemi banda të vogla që luftojnë për territor, por mafie të organizuar, me hierarki, me financa aq sa buxheti i një shteti, dhe me ndikim deri në nivelet më të larta të administratës. Punonjësit e policisë nuk janë thjesht të korruptuar. Disa prej tyre janë anëtarë aktivë të familjeve mafioze, duke u ngjitur deri në nivelet më të larta të hierarkisë, dhe kjo nuk është krizë kalimtare. Është shkatërrim i shtetit ligjor.

Ndërkohë, qeveria hesht, dhe ministrja e Brendshme, në vend që të ngrejë alarmin e të ndërmarrë një aksion kombëtar ndaj grupeve mafioze që kanë depërtuar në çdo qelizë të policisë, ka shpallur aksionin kombëtar... kundër... monopatinave. Në këtë vend ku kemi zgjedhur të jetojmë dhe të rrisim fëmijët tanë, qytetarët ndihen çdo ditë e më të pambrojtur, më të braktisur. Nga njëra anë krimi që nis me “të fortin” e rrugicës dhe mbaron me trafikantin e tonelatave të drogës, dhe nga ana tjetër qeveria që na vjedh e na rrjep me plot arrogancë, e kanë futur qytetarin shqiptar në një darë që po i zë çdo ditë e më shumë frymën.

Shqipëria është në emergjencë dhe ka nevojë për një dorë të hekurt. Jo për një diktator, por për ngritjen e një sistemi vlerash, të përbërë nga njerëz guximtarë që nuk i tremben mafias, madje e ndjekin atë hap pas hapi, duke forcuar dorën e ligjit dhe duke prerë lidhjet e tyre me majat më të larta të pushtetit.

Prandaj sot, në këtë situatë të zymtë, kur numërimi i turistëve shkon paralel me numërimin e kufomave, pyetja është një dhe e vetme: Me një ministër rendi të dënuar nga gjykata, me disa ministra në burg, disa të tjerë në hetim, dhe me një rekord krimi të denjë për republikat e bananeve, jam kurioz të di: a ka akoma qytetarë që presin apo ëndërrojnë që rendi të vendoset e krimi të luftohet nga kjo qeveri, e nga ky kryeministër?

Sepse e vetmja detyrë që policia e shtetit nën këtë qeveri arrin të bëjë është të hapë rrugën për ministrat e kryeministrat, dhe i vetmi sukses është bllokimi i rrugëve për ne të tjerët./Piranjat

florjan binaj

Sondazh

Poll