Aktualitet

Akuzohen se kërkuan 30 milionë lekë për të mos vendosur gjobë, GJKKO  shpall vendimin për tre të pandehurit, mes tyre edhe vëllai i ish-presidentit Nishani

Tre të pandehurit Ilir Nishani, Gerson Tafa dhe Genci Hicka në janar 2020 u kallëzuan nga mjeku i klinikës private “Luis Medical Center”, Kostandin Balloma.

12 Nëntor 2025, 11:23 Nga E.d
Akuzohen se kërkuan 30 milionë lekë për të mos vendosur
Ilir Nishani

TIRANË- GJKKO  ka shpallur vendimin mbi tre të pandehur, ku mes tyre bën pjesë edhe vëllai i ish-presidentit Bujar Nishani. Tre të pandehurit Ilir Nishani, Gerson Tafa dhe Genci Hicka në janar 2020 u kallëzuan nga mjeku i klinikës private “Luis Medical Center”, Kostandin Balloma. Sipas mjekut Balloma, tre të pandehurit i kishin kërkuar klinikës ku ai punonte një shumë prej 30. 000 lekësh, për mos të vendosur gjobë ndaj kilinkës.

Një lidhje me këtë hetim GJKKO ka shpallur të pafajashëm Ilir Nishanin dhe Genci Hiçkan. Ndërsa fajtor u shpall Gerson Tafa, i cili u dënua me dy vite, por gjykata vendosi pezullimin e ekzekutimit të dënimit dhe vënien në provë për 24 muaj, me kusht që gjatë kësaj periudhe ai të mos kryejë vepër tjetër penale dhe të qëndrojë në kontakt me Zyrën e Shërbimit të Provës. Gjithashtu Gerson Tafa, nuk do të lejohet ta ushtrojë profesionin e tij për 5 vitet në vijim.

Vendimi për tre zyrtarët

Ilir Nishani u deklarua i pafajshëm për akuzën e “Korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”, e kryer në bashkëpunim, pasi nuk u provua kryerja e veprës penale. Gerson Tafa u shpall fajtor për kryerjen e të njëjtës vepër penale, parashikuar nga neni 259/1 i Kodit Penal, dhe u dënua me 2 vite burgim. Megjithatë, në zbatim të nenit 59 të Kodit Penal, gjykata vendosi pezullimin e ekzekutimit të dënimit dhe vënien në provë për 24 muaj, me kusht që gjatë kësaj periudhe ai të mos kryejë vepër tjetër penale dhe të qëndrojë në kontakt me Zyrën e Shërbimit të Provës. Gjykata vendosi gjithashtu heqjen e së drejtës për të ushtruar funksione publike për një periudhë 5-vjeçare. Genci Hicka u shpall po ashtu i pafajshëm, pasi nuk u provua përfshirja e tij në kryerjen e veprës penale të korrupsionit pasiv në bashkëpunim. Në njoftimin e GJKKO, thuhet se provat materiale do të mbeten pjesë e fashikullit të gjykimit, ndërsa shpenzimet hetimore dhe gjyqësore do të ngarkohen ndaj të pandehurit të shpallur fajtor, Gerson Tafa. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Gjykimin e çështjes penale që i përket procedimit penal me nr. 84, të vitit 2020, në ngarkim të të pandehurve Ilir Nishani, Gerson Tafa dhe Genci Hicka”. Gjykimi i kësaj ҫështje u zhvillua me rregullat e gjykimit të zakonshëm.

Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtaret Flojera Davidhi, Elsa Ulliri dhe Erjon Çela, me vendimin nr. 71, datë 11.11.2025 vendosi: Deklarimin e pafajshëm të të pandehurit Ilir Nishani për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 259/1 dhe 25 të K.Penal (i ndryshuar me Ligjin nr. 43/2021, datë 23.03.2021), për shkak se nuk provohet që e ka kryer veprën penale. Deklarimin fajtor të të pandehurit Gerson Tafa për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” parashikuar nga neni 259/1 të K.Penal (i ndryshuar me Ligjin nr. 43/2021, datë 23.03.2021), dhe dënimin e tij me 2 (dy) vjet burgim. Në zbatim të nenit 59 të K.Penal pezullimin e ekzekutimin të vendimit me burgim për të pandehurin Gerson Tafa dhe vënien në provë për 24 (njëzet e katër) muaj, me kusht që gjatë kohës së provës të mos kryejë vepër tjetër penale dhe të mbajë kontakte me Zyrën e Shërbimit të Provës që mbulon vendbanimin e tij. Në respektim të nenit 35 të K.Penal, heqjen e së drejtës për të ushtruar funksione publike për të pandehurin Gerson Tafa, për një periudhë 5 (pesë) vjeçare.  Deklarimin e pafajshëm të të pandehurit Genci Hicka për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 259/1 dhe 25 të K.Penal (i ndryshuar me Ligjin nr. 43/2021, datë 23.03.2021), për shkak se nuk provohet që e ka kryer veprën penale. Provat materiale të mbeten pjesë e fashikullit të gjykimit. Shpenzimet e fazës hetimore dhe ato gjyqësore sipas formularit bashkëlidhur t’i ngarkohen të pandehurit deklaruar fajtor Gerson Tafa. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e komunikimit të vendimit gjyqësor të arsyetuar./Dosja.al

ilir nishani bujar nishani genci hicka

Sondazh

Poll