Politike

"Jemi në fazë të avancuar me negociatat për në BE"/ Rama për 'TV5 Monde': Projekti i Kushner nuk përfshin vetëm ishullin! Do jetë risi në Mesdhe

Rama theksoi se "Diella" është shtatzënë me 83 këshilltarë, djemtë dhe vajzat e saj të ardhshme, të cilët do të jenë asistentë të grupit parlamentar, si pjesë e një projekti pilot për të krijuar një parlament të mbështetur nga inteligjenca artificiale. Rama më tej foli edhe luftën në Ukrainë dhe theksoi se vetë Evropa nuk ka ende planin e saj të paqes për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

31 Tetor 2025, 19:35 Nga E. D
"Jemi në fazë të avancuar me negociatat për në
Edi Rama

FRANCË- Kryeministri Edi Rama, teksa ndodhej në Francë për Forumin e Paqes në Paris, nismë e presidentit Emmanuel Macron, ka dhënë edhe një intervistë në studion e kanalit francez “TV5 Monde”. Gjatë intervistës Kryeministri është pyetur për Ministren e Inteligjencës Artificiale, Diella, ku tha se ajo është shumë mirë.

Rama theksoi se "Diella" është shtatzënë me 83 këshilltarë, djemtë dhe vajzat e saj të ardhshme, të cilët do të jenë asistentë të grupit parlamentar, si pjesë e një projekti pilot për të krijuar një parlament të mbështetur nga inteligjenca artificiale. Rama më tej foli edhe luftën në Ukrainë dhe theksoi se vetë Evropa nuk ka ende planin e saj të paqes për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

Duke folur për anëtarësimin në BE, Rama tha se Shqipëria është në një fazë shumë të avancuar dhe janë hapur 5 nga 6 grup-kapitujt dhe shpresojmë të hapim edhe të gjashtin, që do të ishte një rekord absolut sa i takon shpejtësisë. Teksa u pyet nga gazetari nëse dhëndri i Donald Trump, Jared Kushner e ka marrë lejen nga qeveria për ndërtimin e resortit luksoz në Sazan, Rama tha se kjo nuk ka ndodhur ende, por po negociohet për këtë. Kryeministri tha gjithashtu se po punohet mbi projektin që nuk përfshin vetëm ishullin, por edhe një pjesë të territorit përpara tij.

Intervista e plotë e Kryeministrit Edi Rama për “TV5 Monde”:

Gazetari: Mirë se vini në TV5 Monde! Ju jeni Kryeministri i Republikës së Shqipërisë. Siç e dini, inteligjenca artificiale është gjithashtu një temë në këtë forum, një teknologji që përdoret gjithnjë e më shumë në jetën tonë, për mirë a për keq. Dhe në qeverinë tuaj, Z. Kryeministër, keni një Ministre të Inteligjencës Artificiale, emri i saj është Diella, dhe është përgjegjëse për prokurimin publik. Si është ajo?

Kryeministri Rama: Faleminderit që më ftuat. Duhet të them, kjo është një javë mjaft e veçantë. Fillova me Mohammed bin Salman, dhe tani po e mbyll javën me një tjetër Mohamed, Mohamed Kassi, dhe jam shumë i nderuar nga ftesa juaj. E kam ndjekur këtë kanal për një kohë shumë të gjatë, dhe është një nder të jem ne këtë program të mrekullueshëm me ju. Ministrja është shumë mirë. Ajo është shtatzënë me 83 këshilltarë, djemtë dhe vajzat e saj të ardhshme, të cilët do të jenë asistentë të grupit tonë parlamentar, si pjesë e një projekti pilot për të krijuar një parlament të mbështetur nga inteligjenca artificiale.

Gazetari: Pra, 83 prej tyre do të jenë përgjegjës për të ndihmuar anëtarët e parlamentit, duke i mbështetur ata kur mungojnë në seancat parlamentare, për shembull. Ata do t’i ndihmojnë deputetët me të gjitha funksionet parlamentare. Ndër temat kryesore, siç e përmenda, është edhe paqja dhe klima. Si mendoni se mund ta ruajmë planetin? Vendi juaj, Shqipëria, po përjeton një sërë katastrofash klimatike, të paktën sipas Bankës Botërore. Shqipëria është ndër vendet më të ekspozuara. Si planifikoni ta adresoni këtë problem dhe çfarë propozoni? Por nuk është vetëm Shqipëria që e ka këtë problem, kështu që çfarë propozoni?

Kryeministri Rama: Shqipëria është një nga vendet më të ekspozuara për sa i përket kërcënimit sepse, përballë këtij kërcënimi, të gjithë jemi të ekspozuar. Por sigurisht, është një kërcënim. Është një kërcënim që mund të prekë më shumë vendet me më pak mbrojtje, por edhe vendet e mëdha, madje edhe ato me sisteme të gjera mbrojtjeje, nuk mund të bëjnë shumë, dhe për këtë arsye duhet ta ndryshojmë plotësisht sistemin e mbrojtjes.

Gazetari: Z. Kryeministër, ju e dini, qoftë për klimën apo për luftërat në Ukrainë dhe Gaza. Ka gjithnjë e më pak hapësirë për multilateralizëm, dhe është ligji i forcës. Si ta përmbysim këtë trend?

Kryeministri Rama: Ky është problemi. Dhe nëse po flasim për paqen, dhe nëse po mbajmë një forum kushtuar paqes këtu në Paris, atëherë duhet të reflektojmë mbi një fakt shumë të thjeshtë, dhe sipas mendimit tim, një fakt shumë të rëndësishëm: se vetë Evropa nuk ka ende planin e saj të paqes për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. Kjo nuk do të thotë se ajo që po bëjmë me fondin e ndihmës për Ukrainën, ose me fondin që mbështet forcën ushtarake të Evropës, nuk është e drejtë, por do të thotë që nuk mund të shkojë vetëm në këtë drejtim, sepse duket sikur diplomacia ka vdekur, dhe tani mbetet vetëm tamburi i luftës. Kjo është e papranueshme.

Gazetari: Për të dalë vërtet nga ky konflikt që zgjat tashmë prej katër vitesh, nevojitet një qasje diplomatike. Shqipëria ka dorëzuar kandidaturën për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Megjithatë, statusi zyrtar i vendit kandidat u rekomandua vetëm në tetor 2012, pasi në atë kohë demokracia konsiderohej ende e paqëndrueshme. Shqipëria ka bërë progres që atëherë, si qëndron situata aktualisht?

Rama: Po ne jemi në një fazë shumë të avancuar për sa i përket asaj që sapo përmendët. Jemi në negociata. Kemi hapur 5 nga 6 grup-kapitujt dhe shpresojmë të hapim edhe të gjashtin, që do të ishte një rekord absolut sa i takon shpejtësisë. Kjo lidhet gjithashtu me faktin që Europa, nga pikëpamja e zgjerimit – unë preferoj ta quaj ‘bashkim’ – po përjeton një zgjim. Lufta në Ukrainë tregoi, ndër të tjera, nevojën për një Europë më të bashkuar dhe më të fortë.

Gazetari: Koha po na mbaron, kështu që vetëm një pyetje e fundit, ndoshta pak delikate. Dhëndri i Donald Trump, Jared Kushner, dëshiron të ndërtojë një kompleks turistik luksoz në një nga ishujt më të bukur të Mesdheut, në vendit tuaj, me bimësi të gjelbër dhe të pasur – një nga pasuritë tuaja natyrore më të çmuara. A e ka marrë ai lejen nga qeveria juaj?

Kryeministri Rama: Jo ende, por ne po negociojmë për këtë. Po punojmë gjithashtu mbi projektin që nuk përfshin vetëm ishullin, por edhe një pjesë të territorit përpara tij. Mund t’ju them se projekti po përmirësohet çdo ditë, dhe nëse arrijmë ta zbatojmë ashtu siç ne e kemi parashikur, do të jetë një risi absolute për Mesdheun dhe një model për t’u ndjekur për sa i përket qëndrueshmërisë.

Gazetari: Faleminderit shumë, Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë, frankofon dhe frankofil, për praninë tuaj në studion tonë./Dosja.al

edi rama

Sondazh

Poll